Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Si mund të duket Irani nëse bie Republika Islamike?

schedule17:08 - 11 Tetor, 2022

schedule 17:08 - 11 Tetor, 2022

Nga Borzou Daragahi “The Indipendent

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Edhe pse ka qëndruar 43 vjet në pushtet dhe ka pasur boll kohë për t’i bërë gjërat siç duhet, Republika Islamike ka dështuar në pothuajse të gjitha synimet e saj. Sot iranianët janë më pak të begatë, më pak të lirë, dhe ndoshta edhe më pak fetarë sesa ishin përpara revolucionit të vitit 1979, që solli sundimin klerikal në vend.

I vetmi sukses që ka pasur ky regjim është tek vrasjet, burgosja ose internimi i cilitdo që përbënte një sfidë për të. Dhe kjo në një masë të tillë që sot pakkush mund të imagjinojë edhe një alternativë ndaj regjimit aktual. “Edhe të mendosh mbi rrëzimin e Republikës Islamike është shumë e vështirë”- thotë një student i shkencave politike në Teheran.

“Republika Islamike është një strukturë ideologjike. Është shumë e lidhur me fenë. As që mund të mendohet një alternativë. Të mendosh për rënien e këtij regjimi është përtej reales. Është surreale”- shton ai. Kundërshtarët e Republikës Islamike, kanë qenë prej kohësh të përçarë, plot grindje dhe mosbesim ndaj njëri-tjetrit, sidomos brenda diasporës.

Por disa iranianë që po mendohen nëse do të marrin apo jo pjesë në protestat historike që kanë shpërthyer në të gjithë vendin – të shkaktuara nga vrasja e 22-vjeçares Mahsa Amini – po synojnë të hartojnë një plan, në mënyrë që përpjekjet dhe sakrificat e tyre, të prodhojnë diçka.

“Ku është qeveria jonë në diasporë?”- pyet një protestues gjatë një bisede që bëjmë bashkë. Ndoshta është koha të fillojmë të mendojmë për një Iran pas largimit të mullahëve. “Është e nevojshme që liderët të tregojnë një lloj lidershipi”- thotë Mahdi Ghodsi, ekspert mbi Iranin në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

“Ata duhet të shfaqen sa më shpejt në media, që të ndërhyjnë sa më shpejt të jetë e mundur”- thekson ai. Në bisedat që kam zhvilluar me disa ekspertë, janë shfaqur një sërë emrash, brenda dhe jashtë vendit, që kanë besueshmërinë, integritetin, mbështetjen publike dhe ndoshta aftësinë për të udhëhequr apo për të qenë pjesë e një qeverie tranzitore.

Ndër figurat kryesore të një lëvizjeje që udhëhiqet nga gratë, dhe që u nxit nga kundërshtimi i ligjit mbi mbajtjen e detyrueshme të ndaj hixhabit nga gratë, janë Nasrin Sotoudeh dhe Narges Mohammadi, avokatet e burgosura për të drejtat e njeriut dhe aktiviste për të drejtat e grave, të cilat me shumë guxim kanë bërë për vite me radhë fushatë për të drejtat e grave.

Po ashtu aty janë edhe Shirin Ebadi, avokatja iraniane dhe fituese e çmimit Nobel për Paqe që sot jeton në mërgim, dhe Masih Alinejad, gazetarja me banim në Nju Jork, thirrjet e të cilës ndaj grave iraniane për të hequr shamitë e tyre, kanë luajtur një rol kyç në rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e grave dhe lirinë individuale.

Ndërkohë, brenda Iranit ka strategë politikë të shquar, si shkrimtari Ahmad Zeidabadi, aktivisti i fjalës së lirë Hossein Ronaghi, kundërshtari i dënimit me vdekje Emaddedin Baghi, udhëheqësi i studentëve Majid Tavakoli, avokati i të drejtave të njeriut Abdolfattah Soltani, udhëheqësi i sindikatës së shoferëve të autobusëve Reza Shahabi, dhe kreu i sindikatës së  punëtorëve Esmail Bakhshi.

Që të gjithë janë aktivistë me integritet dhe besueshmëri të madhe në publik, edhe pse jo politikanë të natyrshëm dhe me baza të forta të mbështetjes popullore. Të gjithë ata kanë qenë shpeshherë në burg për shkak të mbrojtjes së besimeve të tyre, por edhe të mbrojtjes të drejtave të të tjerëve.

Gjithsesi ata kanë treguar përmbajtje, pjekuri, aftësi drejtuese dhe organizative. “Unë nuk mendoj se aktivistët janë udhëheqës të mirë në vetvete. Për të sjellë ndryshimin duhen njerëz që kanë njohuri teknokratike, dhe njerëz që e kuptojnë burokracinë dhe kompromisin demokratik”- thotë një njohës i mirë i Iranit.

Ndërkaq, është jetike që një qeveri tranzitore të pasqyrojë të gjitha shtresat e shoqërisë iraniane. Kjo do të thotë se ajo duhet të përfshijë përfaqësues ose udhëheqës të grupeve të margjinalizuara të pakicave etnike kurde, arabe dhe baluçe të Iranit, së bashku me avokatët e popullatave azere dhe turkofone, si dhe përfaqësuesit e grupeve fetare të pakicave, duke përfshirë Baha’i, të krishterët, zoroastrianët dhe hebrenjtë, por dhe ithtarët e rrymave sunite dhe sufi të Islamit.

Reza Pahlavi, djali i monarkut të dikurshëm me banim në Virxhinia, SHBA, ka një bazë mbështetëse midis iranianëve në diasporë por edhe brenda Iranit. Dhe megjithëse është përmendur rrallë nga protestuesit gjatë protestave aktuale, ai mund të përfaqësojë mbështetësit e monarkisë.

Shqetësimet e iranianëve besimtarë mund të reflektohen tek përfshirja e klerikëve disidentë dhe bashkëpunëtorëve të tyre, disa prej të cilëve kanë dalë publikisht në mbështetje të protestave. Dhe në fakt ka figura të tilla si Hassan Khomeini, nipi reformator i themeluesit revolucionar të Iranit, dhe kleriku pro-reformator Fazel Meybodi, si dhe Faezeh Rafsanjani – vajza e ish-presidentit Hashemi Rafsanjani, dhe mësuesja fetare disidente Fatemeh Sepehri. Ata mund të shërbejnë si figura për ta garantuar popullatën e madhe të devotshme të Iranit, se shqetësimet e tyre do të pasqyrohen tek një autoritet qeverisës kalimtar. Ekzistojnë disa figura të respektuara në nivel ndërkombëtar, të cilat mund të luajnë një rol në çdo qeveri tranzitore. Kështu përfshihet ish-ylli  i futbollit, aktualisht trajner, Ali Karimi, i cili është akuzuar në mungesë për krime të sigurisë kombëtare, pasi kritikoi shtypjen e protestuesve të zemëruar nga vrasja e Aminit.

Edhe Hamed Esmaeilion, një dentist me banim në Toronto, që humbi tragjikisht familjen e tij gjatë rrëzimit të një avioni të linjës “Ukrainian Airways” në vitin 2020 në një sulm të pakujdesshëm me raketa nga regjimi, duket të jetë një udhëheqës dhe organizator gjakftohtë dhe mendjemprehtë.

Ai loboi me sukses tek autoritetet kanadeze për të futur në listën e zezë Gardën Revolucionare (IRGC) si një organizatë terroriste. Mostafa Tajzadeh, ish-zëvendësministër i Brendshëm nën qeverinë reformiste të Mohammad Khatamit, ka qenë vazhdimisht në anën e reformave demokratike.

Ai mund të ketë gjithashtu edhe aftësitë teknokratike të nevojshme për të ndihmuar në mbikëqyrjen e një tranzicioni të lëkundshëm. Një zë i fortë opozitar që përfaqëson një mbështetje sa më të gjerë, është thelbësor për sigurimin e përkrahjes së lojtarëve ndërkombëtarë me interes për të ardhmen e Iranit, edhe pasi të shkarkohet lideri suprem Ali Khamenei.

“Ata duhet t’i mbledhin forcat sa më shpejt që është e mundur, jo vetëm për të negociuar me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, por për të negociuar me Rusinë dhe Kinën. Ata duhet të bindin Rusinë dhe Kinën se do të bashkëpunojnë sërish me ta, dhe jo vetëm me Perëndimin. Garanci të tilla do të lehtësonin tranzicionin”- thotë Ghodsi.

Një faktor me shumë peshë në Iran janë forcat e armatosura, të cilat deri më tani kanë treguar pak shenja se do të distancohen nga regjimin. Disa figura ushtarake, si kundëradmirali Habibollah Sayyari, kanë treguar shenja integriteti dhe pavarësie vitet e fundit, por shumica kanë qenë të ndrojtur.

Ali Alfoneh, ekspert mbi Iranit në Institutin e Shteteve Arabe të Gjirit me seli në Uashington, thotë se skenari më i mundshëm që do të pasonte Republikën Islamike, do të jetë një juntë ushtarake e kryesuar nga figura të Gardës Revolucionare, që janë shumë të etur për t’u pasuruar.

“Nëse junta e IRGC-së sakrifikonte disa klerikë, ndoshta Khamenei, do të firmosë heqjen e hixhabin, legalizojë pijet alkoolike dhe klubet e natës. Diktatura e IRGC-së mund të zgjasë të paktën 10 vjet. IRGC është kontrabanduesi kryesor i pijeve alkoolike në Iran nga Kurdistani i Irakut. Ata besojnë tek fitimet, dhe jo tek Profeti!”- thotë ai. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!