Një 35-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Itali, ndërsa trupi i tij i pajetë u gjet mëngjesin e sotëm brenda një automjeti të zhytur në lumin Tergola, në provincën e Padovës. Viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti. Sipas Prokurorisë së Padovës, bëhet fjalë për një shtetas me origjinë shqiptare, i cili nuk kishte një adresë të qëndrueshme banimi.
Nga ekzaminimet paraprake mjeko-ligjore dyshohet se 35-vjeçari është vrarë me armë zjarri. Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është se duart e viktimës ishin të lidhura, ndërsa trupi ishte futur në një thes të zi dhe ishte vendosur në pjesën e pasme të automjetit.
Sediljet e pasme të makinës ishin palosur, ndërsa hetuesit dyshojnë se viktima kishte ndërruar jetë përpara se automjeti të përfundonte në ujë. Në mushkëritë e tij nuk janë gjetur shenja uji, çka përforcon dyshimin se 35-vjeçari nuk është mbytur, por është hedhur në lumë pasi kishte vdekur.
Hipoteza kryesore e hetuesve është ajo e një larjeje hesapesh në qarqe kriminale të lidhura me trafikun e drogës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që vrasja të jetë kryer në një tjetër vend dhe trupi të jetë transportuar më pas drejt lumit Tergola.
Kriminalistika po rindërton lëvizjet e viktimës gjatë mbrëmjes së 7 shtatorit dhe po përpiqen të zbulojnë personat me të cilët ai është takuar para se të vritej.
Në fokus të hetimit janë edhe kamerat e sigurisë në zonë, përfshirë ato të një mobilierie pranë vendit ku u gjet automjeti. Makina është pikasur në orët e para të mëngjesit nga disa artizanë që po kalonin në atë zonë. Sipas dyshimeve të hetuesve, automjeti mund të jetë shtyrë me dorë drejt ujit, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit./abcnews.al

