Si frenohet Vllaznia kryesuese, Ndreu jep recetën për lojtarët e tij

schedule14:19 - 23 Janar, 2021

schedule 14:19 - 23 Janar, 2021

Kastrioti do të bëjë të pamundurën për të frenuar Vllazninë e vendit të parë ditën e nesërme. Ramazan Ndreu ka folur për mediat përpara transfertës shkodrane (e diel, 16:45), duke karikuar lojtarët e tij për të dhënë maksimumin dhe për të marrë pikë.

Ne na interesojnë shumë pikët. E keqja është kur zhvillon lojëra të dobëta dhe pikët nuk i merr. Kemi zhvilluar lojëra të mira, kjo na bën optimistë, por me pikët jemi keq. Vllaznia është një skuadër shumë e mirë, ka bërë shumë mirë këtë kampionat dhe është me meritë aty ku është.

Na del për detyrë një angazhim i jashtëzakonshëm nga gjithë lojtarët. Kemi mungesa, por në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë. Shpresojmë që të vazhdojmë me atë ritëm ndeshjesh edhe në Shkodër dhe të kemi edhe fatin që të na vijnë pikët.

Skuadrat po tregojnë që janë aty aty në këtë kampionat. Diferencën e bëjnë momentet, detajet dhe ndonjë lojtar që ka klas të lartë. Vllaznia ka bërë shumë mirë dhe kanë kontingjent të plotë, kanë eufori dhe kanë avantazhin që janë të lirshëm, prej pikëve, diferencës dhe lojërave të mira.

Futbolli është vlerësim. Nëse do e vlerësojmë maksimalisht, nëse japim shpirtin në fushë dhe futemi me ide të qarta, kam besim se i kemi të gjitha mundësitë për të marrë rezultat.

Merkato? Është e vështirë të marrësh lojtarë në këtë periudhë. Duhet të kesh kapacitet financiar për të marrë lojtarë të mirë, ne ndoshta nuk e kemi këtë kapacitet të madh financiar për të marrë lojtarë të mirë.

Le të shpresojmë deri në fund për të marrë lojtarë mesatarë. Jemi në bisedime, por nuk jam shumë optimist, pasi po dështojmë herë pas herë në bisedime. Vetëm shpresojmë“, përfundoi trajneri i ekipit krutan. /abcnews.al