Shkodra me terminal, por autobusët e turistëve zbarkojnë në qendër

schedule17:40 - 22 Maj, 2019

schedule 17:40 - 22 Maj, 2019

Në Shkodër terminali për autobusët tek stacioni i trenit ka dalë jashtë loje. Aty nuk stacionohet asnjë mjet dhe për këtë shkak qendra e qytetit është kthyer në kaos.

Në një ditë Shkodrën e vizitojnë shumë turistë, të huaj dhe vendas. Por lëvizja e tyre në këtë qytet dhe pranë resurseve të tij bëhet sipas drejtueseve të guidave kryesisht.

Bëhet fjalë për 10-12 autobusë që përshkojnë qytetin e veriut.  Asnjë prej tyre nuk stacionohet në vendin e caktuar posaçërisht për turistët.

ABC News mori kontakt me shoferë të këtyre mjeteve. Operatorit iu kërkua të mos filmonte, sepse disa nga ta veprojnë informalisht.

E gjitha kjo ndodh në një qytet që pret e përcjell me mijëra turistë kryesisht në sezonin veror.

Autobusët nga gjithë Shqipëria zbarkojnë në qendër të qytetit, aty ku sipas ligjit duhet të qendrojnë vetëm 30 minuta.

Më pas duhet të zhvendosen tek stacioni i trenit. Këtu ku dhe rrëmuja është e madhe, ka vetem një tabelë që tregon për terminalin, asnjë njoftim tjetër.

Shërbimet e posaçme vendore injorojnë kaosin, kurse Shkodra çdo ditë e më tepër i ngjan jo një qyteti vlerash, por një territori pazari pa rregulla dhe ligje.

Gazetar i ABC News, Shkodër: Simon Shkreli