Deputeti Korab Lita bëri publike disa ditë më parë se ishte emëruar kryetar i grupit parlamentar pasi anëtarët kishin marrë vendimin për të larguar nga drejtimi Rudina Hajdarit. Kjo e fundit përgënjeshtroi lajmin, ndërsa edhe këtë të mërkurë ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka sqaruar se çfarë ka ndodhur.
Sipas saj, në datën 10 Tetor ka patur një mbledhje të paparashikuar në lidhje me këtë çështje. Kur është ngritur ideja për largimin e saj, ajo tha se kërkoi një javë kohë, por Korab Lita e ka marrë si fakt të kryer dorëheqjen.
“Pengesa e vetme që po ndodh këtu është opozita brenda parlamentit, se po të ishte për mbështetjen e ndërkombëtareve ju e dini se do ishim në një situatë ku do kishim marrëveshjen e radhës. Në datën 10 Tetor ne kemi patur një takim të përbashkët me dy ambasadorë. Kështu që ishim bashkarisht për të diskutuar mbi reformën zgjedhore. Më pas kemi pasur mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Pas kësaj mbledhje kemi shkuar për të bërë një mbledhje të grupit parlamentar demokrat demokrat në lidhje me këtë temë. Ishin këta persona që gjatë kësaj mbledhje të paparashikuar, që u ngrit kjo çështje nga këta deputetë. Meqë unë doja që ta trajtoja në mënyrë demokratike u thashë më lini një javë kohë, por pretenduesi dhe ky person në fjalë direkt e bëri fakt të kryer që unë dhashë dorëheqjen. Aspak fare, toleranca ime vazhdon. Ishte plan i paramenduar që shtyu zotin Lita që ditën e nesërme ta bënte fakt të kryer”, tha Hajdari.
Sipas Hajdarit, grupi parlamentar ka zhvilluar mbledhje kohë pas kohe, por ishte Korab Lita sëbashku me dy deputetë të tjerë që nuk vinin asnjëherë. Sipas saj ata ishin me inat të qartë./abcnews.al