Shembja e historisë në rajon

schedule20:40 - 27 Maj, 2020

schedule 20:40 - 27 Maj, 2020

Kryeqytetet e rajonit luftojnë për të mbajtur gjallë atë që ka mbetur nga e kaluara si një dëshmi historike, sepse një popull pa histori e ka të vështirë të provojë ekzistencën e vet ndër shekuj. Strategjitë e guximshme për ndërtimin e identitetit urban shkojnë herë ballë për ballë e herë krah për krah me të shkuarën dhe objektet historike.

Shqipëri

Teatri Kombëtar i Shqipërisë ishte teatri kryesor në Tiranë dhe në Mars të vitit 2020, u zgjodh nga Europa Nostra në mesin e 7 monumenteve më të rrezikuar në Evropë, si një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane nga vitet ’30 dhe një nga qendrat më të spikatura kulturore në Shqipëri, që përballej me kërcënimin e afërt të prishjes. Por më 17 maj, ndërtesa u rrënua. Teatri “Savoy”, i njohur në vitet 1940 si Kino-Teatri “Kosova”, u bë qendra, ku do të themeloheshin institucionet më të rëndësishme kulturore në Shqipërinë e pasluftës. Ajo ndërtesë mbante në muret e saj gëzim dhe hidhërim, teatër artistik dhe teatër politik. Dhe nuk është më!

Serbi

Në Serbi, Aleksandër Vuçiç ishte kryeministër në vitin 2016, kur u shkatërruan brenda natës disa nga ndërtesat në lagjen e vjetër Savamala në Beograd. Kryetari i Bashkisë së Beogradit ishte Sinisha Mali, tani ministër I financave në kabinetin e Ana Brnabiç. Natën e 25 prillit 2016, një grup prej rreth 30 burrash të armatosur me shkop bejsbolli rrëzuan disa ndërtesa në Beograd duke përdorur pajisje të rënda dhe duke keqtrajtuar banorët. Grupi i burrave të maskuar sulmuan herët në mëngjes në rrugën Hercegovacka, shkatërruan disa objekte në pronësi private, ua morën celularët banorëve dhe lidhën disa prej tyre. Banorët thirrën policinë, por ata i injoruan dhe u thanë që të telefononin policinë komunale e cila nuk kishte ardhur fare në vendin e ngjarjes. Vetëm një oficer policie u akuzua për neglizhencë. Vuçiç tha se “zyrtarët më të lartë të qytetit” qëndronin pas shkatërrimit të lagjes. “Jam i sigurt se motivi i tyre ishte i pastër…Jam i sigurt se ata donin të krijonin diçka më të këndshme atje”, tha Vuçiç.

Vuçiç nuk identifikoi asnjë prej zyrtarëve, duke thënë se prokurorët dhe policia do të zbulonin më shumë detaje. Ai deklaroi se autorët do të përballeshin me pasoja juridike, por theksoi se ai vetë nuk e kishte ndërmend të nxiste autoritetet që të shpejtonin procesin. Prishja ndodhi ndërkohë që numëroheshin votat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Serbisë. Kritikët thanë se lagja ishte shkatërruar për ti hapur rrugën një projekti masiv qeveritar të quajtur “Ujëvara e Beogradit.” Kontrata e qeverisë me një kompani me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe për ndërtimin e një kompleksi banimi dhe qendër tregtare përfshinte ndërtimin e qendrës më të madhe tregtare në Ballkan.

Mali i Zi

Hotel Crna Gora, i cili u ndërtua në vitin 1953, u rikonstruktua, duke ruajtur vetëm tarracën e përparme të kolonuar me gurë, dhe në vend të tij, u ngrit një hotel luksoz Hilton në vitin 2016. Në këtë mënyrë, u fshi nga kujtesa dhe imazhi kolektiv, një nga dëshmitë më të rëndësishme arkitekturore të qytetit. Një tjetër projekt bashkëkohor që shkaktoi polemikë të madhe publike ishte ndërtimi i një kullë biznesi me 12 kate pranë kryeveprës së arkitekturës socialiste, Hotel Podgorica. Aktualisht, vlerat themelore monumentale të shumicës së objekteve të trashëgimisë janë të rrezikuara nga tendenca e ndryshimeve të mëtejshme në integritet, humbje të vlerave monumentale dhe origjinalitetit historik. Zhdukja e kujtesës kolektive mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në atë që përfaqëson qyteti dhe do të privojë Podgoricën nga mundësia e përdorimit të një prej pasurive të saj më të fuqishme, historisë.

Greqi

Në mars të këtij viti, Zëvendës Ministri i Mjedisit dhe Energjisë i Greqisë, Dimitris Economyou njoftoi prishjen e menjëhershme të 450 ndërtesave në tokën e projektit Helinikon. Njoftimi pasoi miratimin për prishjen nga Këshilli Qendror i Arkitekturës.

“Në rrethanat dramatike të pandemisë, nevoja për lëvizje kaq të rëndësishme strategjike, bëhet edhe më domethënëse,” tha Ministri, duke shtuar se vendimi “hap rrugën për fillimin e menjëhershëm të punimeve në pronë”.

Zona, në bazë të projektit, përfshin 958 ndërtesa. Disa nga ato që do të ruhen përfshijnë ndërtesën e vjetër të ish Aeroportit Lindor të Athinës, objektet e Forcave Ajrore, tre kisha dhe objektet që lidhen me kompaninë e ujit, Korporatën e Energjisë Elektrike Publike, tramvajin, metronë e stacionit Argyroupoli (Argiropoli) dhe të ashtuquajturat hangarë britanikë.

Por në vitin 2009, një gjykatë greke bllokoi prishjen e ndërtesave pranë Muzeut të Akropolit të Ri. Urdhrat e shkatërrimit për dy ndërtesat u anuluan nga Këshilli i Shtetit, gjykata supreme administrative e Greqisë, pas peticionit nga banorët e zonës. Banorët që kërkonin të mos prisheshin ndërtesat, kishin zbuluar një vendim të ministrisë së kulturës për t’i hequr ato nga një listë e monumenteve të trashëgimisë kulturore, e cila nuk ishte ligjërisht në rregull.

Bullgari

Në maj të vitit 2017, ekskavatorët shkatërruan Shtëpinë e Dyfishtë të Miteve në Sofje, e cila u ndërtua 110 vjet më parë nga arkitekti Georgi Todorov. Pronari i fundit i shtëpisë ishte biznesmeni Kiril Kirov, i cili dërgoi eskavatorët. Kjo u bë e mundur pas anulimit të statusit të shtëpisë si objekt historik, e nënshkruar nga ministri i atëhershëm i kulturës Vezhdi Rashidov.

“Nëse më duhet të jem i sinqertë, nuk më vinte keq ta shkatërroja Shtëpinë e Dyfishtë sepse nuk është një monument (kulture),” tha Kirov disa ditë pas prishjes.

Por ky ishte vetëm një nga etydet shkatërruese. Zjarri në Stallat Mbretërore në Sofje, zjarri që dogji dyqanet e duhanit në Plovdiv, flakët që shkatërrojnë shtëpitë e vjetra çdo vit në Varna. Dhe në Veliko Tarnovo, trarët e arkitekturës së Rilindjes nuk mund t’i rezistojnë kohës dhe mungesës së kujdesit.

Në pritje të rrënimit.

Kosovë

Në vitin 2016, ministria e kulturës në Kosovë, krijoi për herë të parë data-bazën online të trashëgimisë kulturore, ku vendosen të gjitha të dhënat për çdo monument që gjendet në Republikën e Kosovës. Por Prishtina e vjetër, në një pjesë të mirë të saj, ishte rrënuar që pas Luftës së Dytë Botërore, në emër të ndërtimit të së resë. Ishin rrënuar objektet e vjetra dhe rruginat e ngushta me kalldrëm, ishin zëvendësuar me rrugë dhe sheshe. Por edhe ato që kanë mbetur prej asaj kohe, shtëpi qindravjeçare që shtrihen tek Tregu i Gjelbër dhe Lagjja Dodona, ose janë rrënuar ose janë në rrënim e sipër. Ndërtimet e pallateve shumëkatëshe kanë mbirë midis shtëpive të vjetra me sa duket në një rrugë pa kthim.

Kjo ishte qendra e dikurshme e Prishtinës, me rrugë të ngushta me kalldrëm, objekte banimi, kupola dhe minaret, xhami, kisha dhe një sinagogë. Por nën moton “Ta rrënojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë”, u rrënuan një pjesë e mirë e tyre. Qyteti që dikur shtrihej midis dy lumenjve, ishte pikë tregtare e rëndësishme midis Selanikut dhe Sarajevës dhe kishte çarshinë e tij, si qendër kulturore, shoqërore, zejtare, tregtare dhe administrative. U shkatërrua dhe në vend të saj mbiu zona e re administrative, social-realiste, që i dha fund zonës historike. Por edhe pas kaq vjetësh që nga përfundimi i luftës dhe Kosovës shtet të pavarur, nuk ka shenja të ndonjë përpjekje serioze për ta ruajtur dhe restauruar atë.

Ndërtimi imagjinar i historisë

Maqedoni e Veriut

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, do të bënte të kundërtën e gjithë të tjerëve, duke u përpjekur të krijonte një histori imagjinare me statuja dhe ndërtesa neo-klasike. Gruevski ishte kryeministër dhe iniciator I atij që do të quhej “Shkupi 2014”, një projekt prej 750 milionë dollarësh, që përfshinte një mishmash monumentesh gjigande që pretendonin të ngrinin në këmbë nacionalizmin maqedonas. Aleksandri I Madh mbi kalë ishte në krye të tyre. Vetëm mirëmbajtja e statujave dhe shatërvanëve shkonte deri në 500 mijë euro në vit. Projekti që nisi nga 2011-ta, pavarësisht kundërshtimit të arkitektëve dhe shumë banorëve të qytetit, mbuloi atë që dikur kishte qenë hapësirë publike, ose parqe të vogla.  Partia e Zoran Zaev, LSDM, tha se projekti “Shkupi 2014” e futi shtetin në humnerë, si në aspektin financiar, ashtu dhe atë politik. Deputeti I LSDM-së, Jani Makraduli, pati thënë se koston e ndërtimit të projektit “Shkupi 2014” e paguajnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Projekti ‘Shkupi 2014’ është bërë sipas metodave të Hitlerit, për shkatërrimin e popullit maqedonas dhe shtetësisë maqedonase. Është projekt, i cili na ndan në baza etnike, na përçan në baza fetare…”

Shkatërrimet e luftës dhe rikthimi i historisë

Bosnje Hercegovina

Përvoja e disa prej vendeve të tjera të rajonit, të cilat përjetuan luftërat e tmerrshme që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, kanë një tjetër kahje, rindërtim të pasurisë kulturore dhe historike që shkatërroi lufta dhe armiku.

Në vitet pas Luftës së Bosnjës, në periudhën 1992-1995, pati një bum ndërtimesh në Sarajevë, të fokusuara në rindërtimin e asaj që shkatërroi lufta. Është një ndër qytetet me ndërtimet më të shumta në Evropën Jug-Lindore. Kullat Binjake të dizajnuara nga arkitekti Ivan Straus, u shkatërruan pothuajse plotësisht në luftë, por janë rinovuar plotësisht. Në zonën e banimit në Hrasno, ndërmarrja boshnjake Bosmal ka ndërtuar “Bosmal City Center”, një nga kullat më të larta binjake në Ballkan me nga 120 metra secila. Ndërtesa e Parlamentit Boshnjak, e projektuar nga arkitekti Juraj Neidhart u rindërtua, si edhe Muzeu i Bosnjës dhe Hercegovinës në zonën Marin Dvor të Sarajevës i cili është rinovuar tashmë plotësisht. U rindërtua edhe ura e famshme e Stari Most-it në Mostar dhe shumë struktura të tjera me rëndësi kulturore dhe historike të cilat u dëmtuan ose u shkatërruan në luftën e fundit.

Kroaci

Një sinagogë në qendër të Zagrebit, që regjimi kroat i ustashëve e kishte shkatërruar në 1942 do të ngrihet përsëri nga hiri. Megjithatë ende ekzistojnë mosmarrëveshje të mëdha midis qeverisë dhe organizatave hebraike në lidhje me projektin e rindërtimit, përfshirë projektin e propozuar dhe karakterin e ndërtesës së re. Sinagoga u shkatërrua midis tetorit 1941 deri në prill 1942 nga regjimi fashist i ustashëve, i cili qeverisi Kroacinë nën patronazhin nazist dhe fashist, nga viti 1941 deri në maj 1945. Kryetari i bashkisë në atë kohë, Ivan Werner, kishte shpjeguar prishjen, duke thënë se ndërtesa nuk përshtatej me planin urbanistik. Sinagoga ishte hapur në rrugën e Pragës që në 1867, e projektuar nga arkitekti Franjo Klein.

Rumani

Dy ndërtesa nga qendra historike e Bukureshtit, të vendosura në rrugën Lipscani në numrat 70 dhe 75, do të prishen dhe rindërtohen me ruajtjen e arkitekturës origjinale, sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të Bukureshtit. Investimet vlerësohen në rreth 1 milion euro. Përveç dy ndërtesave të rinovuara, të cilat janë në pronësi të shtetit rumun, Bashkia do të fillojë edhe modernizimin e fasadave të ndërtesave të tjera në qendrën historike, zona turistike më e vizituar në Bukuresht. Dy projekte të tjera në agjendën e Këshillit Bashkiak parashikojnë restaurimin e dy ndërtesave të tjera. Këshillit Bashkiak do ti kërkohet gjithashtu që të miratojë transferimin e përkohshëm në pronësi të bashkisë në disa ndërtesave që kanë nevojë për restaurim pasi ato janë në rrezik shembje në rast tërmeti. Megjithatë, edhe në Bukuresht, autoritetet rrënuan në vitin 2011 ndërtesat në zonën historike për të ndërtuar rrugë./abcnews.al