Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi pas mbledhjes së Qeverisë miratimin e dy vendimeve të rëndësishme të propozuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke i cilësuar ato si masa me ndikim të drejtpërdrejtë për mbështetjen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe familjeve të tyre, si edhe për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut.
Në deklaratën për mediat, Lamallari u ndal veçanërisht te vendimi që përcakton trajtimin ekonomik dhe financiar për familjarët e punonjësve të Policisë së Shtetit, që humbin jetën në krye të detyrës, si dhe për policët që plagosen gjatë ushtrimit të detyrës.
“Ky vendim trajton në mënyrë të plotë të gjitha format e mbështetjes për familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë sakrifikuar jetën në krye të detyrës dhe për efektivët që plagosen gjatë shërbimit. Është një detyrim moral dhe institucional ndaj atyre që shërbejnë çdo ditë për sigurinë e qytetarëve,” u shpreh ministri.
Sipas tij, paketa përfshin ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore bruto për familjet e policëve të rënë në detyrë, pension suplementar familjar, bursa të plota studimi për fëmijët në arsimin parauniversitar dhe të lartë, si edhe punësim me prioritet për familjarët. Një nga risitë më të rëndësishme të vendimit, sipas Lamallarit, është garantimi i strehimit për familjet e policëve të rënë në detyrë.
“Bashkëshortët dhe fëmijët e mitur të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën gjatë detyrës do të përfitojnë banesa falas, përmes Entit Kombëtar të Banesave, projekteve të Korporatës së Investimeve Shqiptare, por edhe nga pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar që administrohen nga AAPSK. Është mënyra më e mirë për t’i kthyer pasuritë e krimit në shërbim të qytetarëve dhe familjeve që kanë bërë sakrificën më të madhe për shtetin,” deklaroi ai.
Gjatë komunikimit me gazetarët, ministri bëri të ditur gjithashtu se Qeveria miratoi marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, e cila synon të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe bizneset.
“Kjo marrëveshje do të sjellë kalime më të shpejta në kufi, do të mbështesë turizmin dhe do të lehtësojë qarkullimin e mallrave mes dy vendeve. Ndërkohë që pritet ratifikimi në parlamentet respektive, do të përdorim periudhën e testimit për të zbatuar në praktikë procedurat e reja të lehtësuara,” tha Lamallari.
I pyetur për pagesën e orëve shtesë të punonjësve të Policisë së Shtetit, ministri deklaroi se nuk rezultojnë problematika të qenësishme në administrimin e tyre.
“Nga verifikimet që kemi kryer në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit nuk rezultojnë vonesa sistematike në pagesën e orëve shtesë. Të gjitha angazhimet e dokumentuara trajtohen sipas procedurave financiare në fuqi,” u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi protestën e paralajmëruar përpara Kuvendit dhe reagimin e Policisë së Shtetit, Lamallari theksoi se institucioni do të vijojë të garantojë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, duke zbatuar ligjin dhe duke reaguar ndaj çdo akti dhune.
“Sjellja e Policisë së Shtetit gjatë protestave ka qenë shembullore. Me gjithë provokimet dhe aktet e dhunës ndaj efektivëve, policia ka treguar maturi, vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm. Detyra jonë është të garantojmë të drejtën për protestë paqësore, por njëkohësisht të procedojmë çdo person që shkel ligjin apo ushtron dhunë,” deklaroi ministri.
Ai shtoi se Policia e Shtetit do të vazhdojë të mbrojë jo vetëm protestuesit paqësorë, por edhe qytetarët, deputetët, gazetarët dhe çdo person që ushtron detyrën apo të drejtat e tij në përputhje me ligjin.
“Nuk duhet të ngatërrojmë protestën paqësore me dhunën. Kush ushtron të drejtën kushtetuese për të protestuar do të ketë mbrojtjen e Policisë së Shtetit, ndërsa kush sulmon efektivët, gazetarët apo cenon rendin publik do të përballet me ligjin,” përfundoi Lamallari.



