SHBA/ Publikohet memorandumi, republikanët ‘kryqëzojnë’ FBI-në

schedule21:17 - 2 Shkurt, 2018

schedule 21:17 - 2 Shkurt, 2018

FBI ka tejkaluar kompetencat kur ka hetuar këshilltarin elektoral të Donald Trump. Kështu sugjeron memorandumi i publikuar me nismë të presidentit amerikan, që vë në dyshim praktikat hetimore të Byrosë Federale të Hetimit dhe Departamentit të Drejtësisë.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka publikuar këtë të premte memorandumin që akuzon FBI-në se ka abuzuar me pushtetin, kur ka hetuar një këshilltar të presidentit Donald Trump. Dokumenti, i publikuar nga republikanët, sugjeron se FBI përdori prova të pabaza për të përgjuar Carter Page, anëtar i stafit elektoral të kreut të shtetit.

Kryetari i komisionit të shërbimeve të inteligjencës, Devin Nunes ka deklaruar se materiali tregon “shkelje serioze” të besimit të publikut dhe e ka vënë theksin tek nevoja për një reformë. Ndërsa anëtarët demokratë të panelit kanë vlerësuar se publikimi i memorandumit është një përpjekje e turpshme për të diskretituar punën e FBI-së dhe hetimet që agjencia po zhvillon mbi skandalin “Russia-gate”.

Memorandumi argumenton se hetuesit e Byrosë Federale të Hetimit dhe Departamentit të Drejtësisë nuk i kishin treguar gjyqtarit arsyet përse kishin kërkuar mandatin për dosjen e shumëpërfolur. Nga ana e tyre, agjentët kanë deklaruar se nuk kanë lejuar dhe nuk do të lejojnë që politika të ndikojë në punën e tyre. Më herët, kur dha dritën jeshile për publikimin, presidenti Trump e cilësoi memorandumin “të turpshëm” dhe që ngre dyshime mbi legjitimitetin e praktikave hetimore të FBI-së./abcnews.al