Sergio Aguero, shpresa më e madhe e Guardiolës

schedule21:27 - 4 Shkurt, 2019

schedule 21:27 - 4 Shkurt, 2019

Sergio Aguero është shpresa më e madhe e Manchester City-t për të mbrojtur titullin kampion. Sulmuesi argjentinas është në formë të madhe në Premier Ligë.

Ka fituar gjithçka në Angli, por nuk ka ndërmend të ngopet. Sergio Kun Aguero është shënuesi më i mirë i Manchester City-t për të gjitha kohët, edhe në Premier Ligë, edhe në garat e tjera, dhe është arsyeja kryesore se përse tifozët ende mendojnë se titulli mund të fitohet. Ai ishte i magjishëm në fitoren më të fundit të City-t, 3-1 ndaj Arsenalit në “Etihad”, duke shënuar që të tre golat, e duke vazhduar të ndjekë rekordet.

Një sulmues race, i pajisur me një instinkt goli prej shënuesve më të mëdhenj të historisë, ai mposhti mosbesimin e dikurshëm të Pep Guardiolës, duke iu imponuar trajnerit si njeri i pazëvendësueshëm. Manchester City ka tani 59 pikë, dhe është plotësisht në garë për të mbrojtur titullin e fituar vjet. Aguero ka dalë tri herë kampion i Anglisë që kur erdhi në “Etihad” në vitin 2011.

Ai shënoi golin vendimtar për kampionatin e fituar në 2012, dhe po ashtu ishte në ekipin që triumfoi në 2014 e 2018. Tridhjetëvjeçari është shpallur një herë Këpucë e Artë, si dhe ka qenë pesë herë lojtari më i mirë i muajit. Aguero arriti në 14 gola këtë sezon në Premier, dhe në 18 gola gjithsej këtë edicion, shumë pranë Kristiano Ronaldos që ka 19. Ai realizoi tregolëshin e 10-të në Premier Ligë, vetëm 1 më pak sesa rekordi i epokës moderne të mbajtur nga Alan Shireri.

Po ashtu, ai ka 157 gola në karrierë në kampionat, si dhe 41 asiste, të gjitha këto në 227 ndeshje. Argjentinasi është ende larg rekordit të Premier Ligës, mbajtur nga Shirer me 260 gola, por ish-sulmuesi i Blekbërnit dhe Njukasëllit, ia doli në plot 441 ndeshje. Numrit 10 ashtu do t’i duhet kohë që të mbërrijë 208 rrjetat e Uejn Runit, por pritet t’i afrohet shpejt Xhermen Defosë, Robi Faulërit, Tieri Henrisë, Frenk Lampardit apo Endi Koulit.

Më shumë rëndësi se gjithçka për të, sidoqoftë, ka titulli kampion. Sfida me Liverpulin është shumë e vështirë, por Aguero është nga ata që nuk dorëzohet deri në fund./abcnews.al