Dy persona janë vënë në prangat e Policisë së Tiranës për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa tre të tjerë janë proceduar penalisht për moskallëzim krimi. Fillimisht, autoritetet kishin marrë informacione në rrugë operative se 30-vjeçari F.N, në bashkëpunim me persona të tjerë tregtonin heroinë dhe kokainë për llogari të tij.
Ai njihej me pseudonimin “Loli i Verës”. Në bashkëpunim me 27-vjeçarin P.P që njihej me pseudonimin “Pipo”, ata shisnin sasi të konsiderueshme droge në formë dozash. Shitjen, ata e bënin në disa zona të Tiranës.
Për këtë aktivitet kriminal, dy të arrestuarit kishin përshtatur një apartament për përpunimin, përzjerien, ambalazhimin e drogës.
Në momentin e ndërhyrjes ndaj 30-vjeçarit dhe 27-vjeçarit gjatë kontrollit fizik, policia u ka gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike të ndara në disa doza. Më pas, gjatë një kontrolli në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar rreth 1 kilogramë e 864 gramë heroinë të ndarë 353 doza, 202 gramë kokainë, rreth 50 mijë lekë, peshore elektronike, frulator grirës, sitë e sende të tjera që shërbenin për përzierjen dhe ambalazhimin e drogës.
Ndërkohë të proceduarit penalisht për veprën penale “Moskallëzim Krimi”, janë B. N, 36 vjeçe, B.S., 43 vjeç dhe G.G., 47 vjeç. Ky i fundit është i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”./abcnews.al



