Sanksionet e SHBA, kaos në tregjet financiare të Rusisë

schedule18:14 - 9 Gusht, 2018

schedule 18:14 - 9 Gusht, 2018

Paketa e re e sanksioneve e vendosur të mërkurën nga Shtetet e Bashkuara kanë bërë që monedha ruse të bjerë në minimumin historik dhe në treg të mungojë likuiditeti monetar. Në këto kushte Moska zyrtare ka deklaruar se do t’i përgjigjet Uashingtonit.

Rusia ka kritikuar raundin e ri të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, duke i cilësuar ato ilegale dhe ka paralajmëruar se po punon për t’iu përgjigjur atyre. Reagimi i Kremlinit erdhi pasi vendimi i Uashingtonit bëri që rubla ruse të bjerë në nivelin më të ulët të dy viteve të fundit dhe tregjet financiare ruse të hyjnë në kaos. Konkretisht, valuta vendase ka rënë në 66.73 njësi kundrejt dollarit, ndërkohë që në treg vihet re mungesa në rritje e likuiditetit. Moska është përpjekur të përmirësojë marrëdhëniet me Amerikën që kur Donald Trump mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2016 dhe elita politike ruse e mirëpriti samitin e muajit të kaluar mes Trump dhe Putin, duke e cilësuar si fitore. Por optimizmit paraprak duket se ia ka zënë vendin acarimi.

Moska zyrtare është e mendimit se Trump ndodhet nën presionin e fortë të ligjvënësve amerikanë për t’u treguar i ashpër ndaj Rusisë në prag të zgjedhjeve afatmesme. Kjo, pasi konsiderojnë se Trump dështoi të diskutonte me Putin në lidhje me ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet presidenciale në takimin e zhvilluar në Finlandë. Duke njoftuar sanksionet e reja ditën e mërkurë, Departamenti i Shtetit bëri me dije se ato vendosen për shkak të rolit të Rusisë në helmimin e ish-agjentit sekret Sergei Skripal dhe së bijës në Angli, akuzë të cilën Rusia vazhdon ta mohojë. “Sanksionet janë të paligjshme, armiqësore dhe bien ndesh me atmosferën konstruktive të verifikuar në takimin Trump-Putin në Helsinki”, thuhet në një komunikatë të Kremlinit./abcnews.al