Samiti me Korenë e Veriut, Trump kundërshton këshilltarin

schedule13:25 - 18 Maj, 2018

schedule 13:25 - 18 Maj, 2018

Në përpjekje për të qetësuar situatën me Korenë e Veriut, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kundërshtuar këshilltarin e tij Bolton. Ai sqaroi se nuk është në tavolinë modeli i Libisë për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kundërshtuar këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, duke thënë se i ashtëquajturi “Modeli i Libisë” për çarmatosjen bërthamore nuk do të ndiqet me Korenë e Veriut. Një sugjerim i tillë nga John Bolton zemëroi Veriun, që kërcënoi me sabotimin e samitit me Trump që pritet të zhvillohet me 12 Qershor në Singapor. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nënvizoi se takimi me Kim Jong-un do të ndodhë.

Në vitin 2003, lideri i Libisë, Muammar Gaddafi, pranoi të asgjësojë programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve. Megjithatë, ai u vra më pas nga rebelët e mbështetur nga perëndimi – një krahasim ky që duket se ka alarmuar liderin e Koresë së Veriut. Për këtë Pheniani kërcënoi të mërkurën se mund të mos marrë pjesë në bisedimet që do të zhvillohen në Singapor.

Ndërsa Bolton ishte i pranishëm në Zyrën Ovale dhe po shikonte, Trump u shpreh shumë qartë: “Modeli i Libisë nuk është modeli që ne kemi kur mendojmë për Korenë e Veriut”.

Marrëveshja që Presidenti amerikan po konsideron me Kim Jong-un është ajo që parashikon se lideri i Koresë së Veriut do të drejtojë vendin e tij.

“Nëse shikoni Korenë e Jugut, ai mund të jetë një model në terma të industrisë. Ata janë shumë punëtore, qytetarë të mrekullueshëm”,  nënvizoi Trump.

Ndërkohë, tensione mes dy vendeve janë zbutur dhe tashmë pritet që samiti të përcaktojë një marrëveshje paqeje si dhe çarmatosjen bërthamore të gadishullit korean. Ndër të tjera, Pheniani kërkon dhe siguri se Kim Jong-un nuk do të rrëzohet nga pushteti dhe se vendi i tij nuk do të pushtohet./abcnews.al