SHBA dhe Kina arritën një marrëveshje armëpushimi sa i përket luftës tregtare. Sipas akordit të arritur, Uashingtoni nuk do të vendosë tarifa të reja për mallrat kinezë në janar të 2019-s.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina arritën një marrëveshje dhe firmosën armëpushimin tregtar. Pas darkës në G20-ën e Buenos Aires mes presidentëve të dy shteteve, Donald Trump dhe XI Jinping, u vendos që të mos vendosen tarifa të reja duke filluar nga janari i 2019-s. Në këtë mënyrë do të favorizohet hapja e negociatave në të gjitha fushat mes dy vendeve. Shtëpia e Bardhë foli për një “consensus të rëndësishëm” mes dy liderëve dhe njoftoi se armëpushimi tregtar do të zgjasë 90 ditë.
Sipas ministrit të jashtëm kinez, Wang Yi, takimet në samitin e G20-s ishin “miqësore dhe të drejtëpërdrejta”, me përkufizimin e një skeme që shmang “tensionet e reja tregtare” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sipas Wang, dy vendet munden dhe duhet të sigurojnë suksesin e marrëdhënieve e tyre në raport me “përgjegjësitë në rritje për paqen dhe stabilitetin në botë”, duke pasur më shumë interesa të përbashkëta se sa dallime.
Kreu i diplomacisë kineze foli edhe për “hapjen e tregjeve reciproke”, duke i kërkuar SHBA-së durim përballë angazhimit kinez për një “cikël të ri reformash dhe hapjesh” , kështu që “frika legjitime e Shteteve të Bashkuara mund të zgjidhet”. Ministri bëri thirrje për “menaxhimin e duhur” të dallimeve së bashku me “veprime aktive dhe përpjekje të koordinuara” për të arritur në “marrëdhënie të qëndrueshme”.
Sa i përket planit tarifor, Zëvendësministri i Tregtisë Wang Shouwen tha se marrëveshja bazohet në tre pika: “armëpushim” për rritjen e normave nga SHBA nga 10 deri 25% që pritet nga 1 janari i 2019-s për importin prej 200 miliardë dollarësh mallra “made in China”; të ndalojë vendosjen e tarifave të mëtejshme për produktet e reja; dhe së fundi, ekipet operacionale të punojnë për të eliminuar “detyrimet e mbetura prej 25%”.
Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump kanë rënë dakord për “shkëmbimin e mëtejshëm të vizitave të ardhshme në një kohë të përshtatshme”. /abcnews.al


