Rusët kanë humbur 30% të ushtrisë, ndryshim planesh: Nga fitorja në kufi te beteja për Donbasin te llogoret në Kherson, gjithçka nga fronti në Ukrainë

schedule12:57 - 16 Maj, 2022

schedule 12:57 - 16 Maj, 2022

Ushtria ukrainase i ka shtyrë tashmë rusët drejt kufirit në zonën e Kharkivit, por kjo duket më shumë një fitore simbolike, ndërkohë që më në jug lufta vijon e ashpër edhe pse shërbimet inteligjente konfirmojnë se Rusia ka hequr dorë tashmë edhe nga synimet për të rrethuar forcat ukrainase në rajonin e Donbasit.

Fitorja në Kharkiv ishte e dyta më e rëndësishme e ukrainasve, ndërkohë që fronti i jugut në Kherson si edhe na Mariupol mbeten shumë sfidues. Rusët kanë mundur të avancojnë disi edhe ne Luhansk dhe Donjeck, por fortifikimet ukrainase i kanë ndaluar ata që të marrin territore të gjëra.

Rusia humbi 1/3 e ushtrisë në Ukrainë

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson se Rusia ka humbur rreth një të tretën e trupave të saj. Kjo përfshin ushtarë të vrarë, ushtarë të plagosur, si dhe pajisje të dëmtuara.

NATO mendon se Ukraina është tashmë në pozicionin që të mund të ndërmarrë një ofensivë ndaj rusëve me qëllim fitimin e kësaj lufte. Megjithatë, i pyetur në lidhje me këtë fakt, Presidenti Zelensky tha më herët se ata nuk i kishin forcat dhe materialet ushtarake për të mundësuar heqjen e rrethimit ndaj Mariupolit, raporton abcnews.al.

Një muaj më parë Pentagoni doli në një përfundim të ngjashëm, duke thënë se rusët kishin humbur rreth 25% të forcave të tyre pushtuese. Këto janë pikërisht arsyet që Rusia ka vendosur ta zhvendosë luftën drejt lindjes.

Sot ukrainasit thonë se rusët po përpiqen të nisin ofensivën përgjatë vijës së frontit.

Ka luftime të ashpra rreth qytetit të Izyum në verilindje, të cilin rusët e kanë marrë tani, ndërkohë që ukrainasit tentojnë që të mos lejojnë bllokimin e forcave të tyre në rajonin e Donbasit.

Rusia heq dorë nga rrethimi i ushtrisë ukrainase?

Rusia ka të ngjarë të ketë prioritet kapjen e plotë të rajonit administrativ të Luhanskut, thotë vlerësimi i fundit nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW).

Forcat ruse duket se do të fokusohen në kapjen e qytetit të Severodonetskut. Marrja e këtij qyteti do t’i mundësonte Rusisë të lëvizte drejt perëndimit dhe të lidhej me forcat e saj që sulmojnë në jug-lindje të Izyum.

ISW thotë gjithashtu se Rusia ka të ngjarë të ketë ezauruar të gjitha trupat rezervë të gatshme për luftim duke bërë që komanda ushtarake të mbledhë forca nga njësi të tjera duke përfshirë edhe milicitë lokale.

Shtabi i përgjithshëm ukrainas ka raportuar se rreth 2,500 rezervistë po stërviten në rajonet Belgorod, Voronezh dhe Rostov. Ky numër nuk ka gjasa të plotësojë njësitë ruse që thuhet se kanë humbur 30% të personelit në disa zona, vëren ISW.

Ndërkohë në Ukrainën jugore, trupat ruse po gërmojnë llogore duke synuar që të qendrojnë aty për një kohë të gjatë, duke kërkuar të vendosin kontroll të përhershëm në disa zona në Mykolaiv dhe Kherson.

Ushtria ruse vazhdon të sulmojë bazat detare ukrainase si edhe fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. /abcnews.al