Avionët luftarakë F-16 të Rumanisë rrëzuan të shtunën dy dronë mbi ujërat territoriale të vendit në Detin e Zi, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Sipas autoriteteve rumune, dronët dyshohet se ishin të prodhimit rus dhe të një gjenerate të re.
Ministri i Mbrojtjes, Radu Miruță, deklaroi të dielën se dronët fluturonin me shpejtësi rreth 450 kilometra në orë, të ngjashme me atë të avionëve luftarakë. Sipas tij, kjo shpejtësi ngre dyshime se bëhet fjalë për dronë rusë të tipit Geran-4, të pajisur me motor turboprop.
“Dronët e mbrëmjes së kaluar fluturonin me shpejtësi 450 kilometra në orë, çka na bën të mendojmë se ishin dronë rusë Geran-4. Kjo është hera e parë që rrëzojmë dronë të këtij lloji”, tha Miruță.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dy dronët hynë në ujërat territoriale rumune të shtunën, përkatësisht në orën 14:59 dhe 15:01 GMT.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi dy cisterna kimikatesh u goditën nga dronë pranë bregdetit rumun të Detit të Zi. Të dyja anijet ndodheshin të ankoruara pranë Kanalit të Sulinës, i cili lidh lumin Danub me Detin e Zi dhe shërben si një rrugë e rëndësishme për eksportet e Ukrainës.
Sipas një burimi ushtarak të NATO-s, cisternat u goditën nga dronë rusë. Autoritetet rumune vijojnë kërkimet për shtatë anëtarë të ekuipazhit që rezultojnë të zhdukur.
Gjatë dy javëve të fundit, të paktën pesë anije të tjera mallrash janë goditur pranë brigjeve të Rumanisë dhe Bullgarisë fqinje. Si pasojë e këtyre incidenteve, 23 marinarë janë raportuar të vdekur ose të zhdukur. Shumica e sulmeve kanë ndodhur jashtë ujërave territoriale të vendeve anëtare të NATO-s.
Rumania, e cila është pjesë e NATO-s, ndan një kufi prej 614 kilometrash me Ukrainën, pjesa më e madhe e të cilit shtrihet përgjatë lumit Danub. Që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, autoritetet rumune kanë raportuar vazhdimisht hyrje të dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendit. Në fillim të këtij viti, Rumania nisi të rrëzojë dronët që hyjnë në territorin e saj.
Një zyrtar i NATO-s deklaroi për agjencinë Reuters se aleanca është e gatshme të reagojë në çdo kohë ndaj çdo kërcënimi të mundshëm, me qëllim mbrojtjen e territorit dhe të qytetarëve të saj. Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Țoiu, njoftoi se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet të martën për të diskutuar mbrojtjen dhe masat parandaluese në Detin e Zi.
Edhe Moldavia, e cila kufizohet me Rumaninë dhe Ukrainën, ka raportuar incidente të ngjashme. Autoritetet moldave njoftuan se një dron i ri u rrëzua në një zonë veriore të vendit, pranë kufirit me Ukrainën. Sipas tyre, nuk pati viktima apo dëme materiale, ndërsa specialistët po përpiqen të përcaktojnë origjinën e tij.
Vetëm gjatë një periudhe prej pak më shumë se 17 orësh, të enjten dhe të premten, pesë dronë të identifikuar si rusë ranë në territorin moldav. Pas këtyre incidenteve, Ministria e Jashtme e Moldavisë publikoi një deklaratë ku dënoi veprimet e Rusisë.


