Ish-kandidati për kryetar të PD, Ibsen Elezi, ka komentuar zhvillimet rreth protestës duke thënë se Shqipëria ka pasur ndikime nga shërbime të huaja ndër vite.
Elezi u shpreh se ndikime të tilla kanë qenë të pranishme në politikë dhe ekonomi, duke përmendur shërbimet greke, jugosllave, ruse dhe iraniane. Sipas tij, nuk mund të mohohet ekzistenca e ndikimeve të huaja dhe mënyra se si disa elementë u japin zë atyre.
Elezi tha se duhet bërë dallimi mes kauzës së artikuluar nga qytetarët dhe përfaqësisë që del prej saj. Sipas tij, ekzistojnë dy rryma: njëra që kërkon transparencë dhe komunikim institucional me Kuvendin, dhe një tjetër që, sipas tij, është anonime dhe pretendon se nuk është një lëvizje politike.
Sipas tij, mënyra më e mirë për të dëmtuar një protestë është cenimi i imazhit të saj dhe rrëzimi i kauzës që ajo përfaqëson.
“Politika dhe ekonomia kanë influencë nga shërbimet greke, jugosllave, ruse. I ke prezente në ekonomi dhe si mos ta ketë këtë influencë edhe Irani. Mund të mohosh që ka influencë dhe të shohësh sesi një pjesë i japin zë, si për shembull zgjedhja e Dritan Goxhajt, është gabim. E kanë vendosur me qëllim.
Ne po flasim për atë që është kauza e gjithë protestës, që e artikuluan qytetarët. A lidhet kauza ngushtë me përfaqësinë që është tipike dhe strikte nga përfaqësia që del nga ajo protestë? Është një rrymë që bën transparencë me Kuvendin dhe një rrymë që është anonime, është e kapur dhe thotë që nuk është lëvizje politike. Do të largosh tërë sistemin dhe thua nuk është politikë; ose je idiot, ose je i shitur.
Një pjesë është e kapur. Kjo lloj idiotësie, një pjesë është e kapur dhe do t’i japë drejtim të gabuar. Nuk ka rrugë më të mirë për ta vrarë këtë protestë sesa kryerja e veprimit për të rrëzuar imazhin e protestës. Një pjesë e atyre janë për të rrëzuar kauzën.
Duke mos pasur intelektualë për t’i dalë për zot, kanë dalë qytetarët.”



