“Rritje page me 7%,” pedagogët i përgjigjen Ramës: Oferta deri në 29% nuk pranojmë, më 17 tetor protesta e radhës

schedule12:13 - 5 Tetor, 2022

schedule 12:13 - 5 Tetor, 2022

Pedagogët, të cilët sot mbajtën protestën e radhës para Universitetit Politeknik, i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit premtoi një rritje të pagës me 7 për qind. Pedagogët janë shprehur se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata nuk do të pranojnë të bëjnë asnjë kompromis.

Sipas tyre, ofertat për rritje me 7, 10, 20 apo 29% të pagës nuk do të merren parasysh. Ndërsa kërkuan mirëkuptimin e studentëve, pedagogët bënë të ditur se protesta e radhës do të jetë më 17 tetor.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama, u përgjigj pedagogëve nga Universiteti Bujqësor i Kamzës ku po prezantonte skemën kombëtare për të ardhmen e prodhimit vendas. Ai tha se mund të pranohej një rritje prej 7%.

“Atyre që dalin në rrugë dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre dhe që kërkojnë rritje pagash në emër të të gjithë pedagogëve, ju them se nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi e as mësues 9-vjeçareje. Nuk jeni as mjekë e as infermierë në shërbimin shëndetësor publik. Nuk jeni as policë, as ushtarak e as nëpunës civilë. Nuk jeni as pensionistë jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë fiks. Ndërkohë, pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme midis mbështetjes së shtetit dhe horizontit ku mjafton të duash dhe ja bën vetes rrogën edhe rrogën dyfish, trefish, edhe katër edhe pesë. Me fondet e tjera, janë fondet e vetëfinancimit, janë fondet evropiane janë edhe fondet e universiteteve të tjera private. Por këtu ka një histori tjetër, të pagave të deklaruara pjesërisht”, tha Rama. /abcnews.al/