Rritja e çmimit të energjisë elektrike, Meta: Rezultat i vjedhjes dhe korrupsionit 10-vjeçar të një artisti

schedule12:13 - 25 Shtator, 2022

schedule 12:13 - 25 Shtator, 2022

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dalë mesditën e së dielës në një konferencë për mediat. Në fjalën e tij, kreu i PL-së ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se rritja e çmimit të energjisë ka ardhur si shkak i asaj që ai e cilësoi se “fushata e zgjedhjes së një artisti në 10 vitet e fundit.

“Artisti që ka 10 vjet që ka marrë lejen krijuese në fushën e vjedhjes dhe korrupsionit…Duhet të kemi parasysh se dështimet e jashtëzakonshme në sektorin e furnizimit me ujë, janë spektakolare. Niveli i humbjeve, uji për të cilin nuk merren të ardhurat, është 67 për qind që humbet ose vidhet…”

Po ashtu, Meta solli në vëmendje se edhe pse prej vitesh premtohet 24 orë furnizim me ujë, sektori në fakt ka vetëm humbje dhe vjedhje. Edhe OSHEE, sipas ish-presidentit është me 23 për qind humbje ndërkohë që janë investuar 1 miliard euro për të zvogëluar këto humbje.

“Humbjet duhej të ishin 6-9 për qind. 1 miliardë euro janë hedhur në lumë e situata vijon të jetë e rëndë.”

Meta tha më tej se i bashkohet thirrjes së Konfindustrisë për të rishikuar fashën e energjisë, dhe ajo të jetë në 1200 KW në muaj.

“Prodhimi i KESH edhe në rastin më të vështirë, është i mjaftueshëm për të përballuar të gjithë konsumin e konsumit familjarë në vend. Kosto nga KESH është  mjaft e lirë, 1.5 lekë, kosto e shitjes nga FSHU është 51 lekë, 41 lekë plus TVSH. E gjithë kjo situatë që paraqitet si situatë për efekt për konfliktin në Ukrainë, apo të problemeve në kontinent në fakt është si rezultat i dështimit të plotë të çdo lloje reforme në vend në sektorin e energjisë dhe të ujësjellës kanalizimeve. Kjo është një kosto që qeveria në mënyrë hipokrite do tua kalojë qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur.

I bashkohemi thirrjes së Konfindustrias që të rishikohet fasha e mbrojtjes nga 800 KW në muaj, të behet në 1200 KW në muaj. Qytetarët të kenë kujdes nga patranoazhsitët e OSHEE-së për të shmangur tentativat për t’i mbifaturuar”, tha Meta. /abcnews.al/