Rrëzohet avioni rus me 71 pasagjerë në bord

schedule14:00 - 11 Shkurt, 2018

schedule 14:00 - 11 Shkurt, 2018

Një avion i një kompanie ruse me të cilin po udhëtonin 65 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, është rrëzuar pasi u përplas me një helikopter. Ngjarja ka ndodhur menjëherë pasi mjeti fluturues ishte nisur nga një aeroport i Moskës. Nga ngjarja tragjike nuk ka pasur të mbijetuar.

Një avion rus u rrëzua në jug-lindje të Moskës, me 71 persona në bord. Mjeti fluturues i “Saratov Airlines” po drejtohej për në qytetin Orsk, që gjendet në afërsi të kufirit mes Rusisë dhe Kazakistanit. Sapo ishte nisur nga kryeqyteti rus dhe u rrëzua në një fushë në juglindje të qytetit, në një distancë prej rreth 80 kilometrash. Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, avioni u përplas me një helikopter të Postës ruse, i cili gjithashtu po ngrihej në ajër.

Një burim i shërbimit të emergjencës tha për mediat vendase se nuk ka asnjë shans për të gjetur të mbijetuar: avioni po udhëtonte me 65 pasagjerë në bord dhe 6 anëtarë të ekuipazhit. Mjeti fluturues, një Antonov An-148, ishte nisur nga aeroporti Domodedovo dhe ka rënë 5 minuta pas nisjes, në 11:22 me orën lokale, në një fushë në afërsi të fshatit Argunovo. Ai ishte zhdukur nga radarët pak caste para rrëzimit.

Mbi shkaqet e aksidentit tragjik, për momentin ka “hipoteza të ndryshme”, thonë shërbimet e emergjencës, duke përfshirë “kushtet e këqija të motit, gabimet njerëzore, dështimet teknike”. Disa dëshmitarë në fshatin Argunovo, bëjnë me dije mediat ndërkombëtare, tregojnë se kanë parë një avion të rrëzohet nga qielli ndërsa ishte i kapluar nga flakët.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka ngarkuar qeverinë për të formuar një komision special për të hetuar aksidentin ajror në rajonin e Moskës. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve Interfax. Gjithashtu, presidenti rus ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

Ndërkohë, modeli i avionëve Antonov, I cili është ndërtuar nga një shtetas ukrainas me të njëjtin emër, e ka zhvilluar fluturimin e parë në vitin 2004. Gjithashtu lidhur më mjetin fluturues janë regjistruar 5 incidente që kanë përfshirë gomat e uljes, impiantin elektrik dhe sistemin e drejtimit./abcnews.al