Rreth 2.800 ushtarë nga 11 vende do të marrin pjesë në stërvitjen e parë ushtarake të “Koalicionit të të Gatshmëve”, në mbështetje të Ukrainës, e cila nis këtë të hënë në Poloni dhe do të zgjasë deri më 22 nëntor.
Stërvitja, e drejtuar nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, synon të testojë mënyrën se si mund të garantohet një paqe e qëndrueshme në Ukrainë pas përfundimit të luftës.
Në të do të marrin pjesë edhe Gjermania, Belgjika, Estonia, Lituania, Holanda, Polonia, Spanja dhe Suedia. Mbretëria e Bashkuar do të angazhojë rreth 300 ushtarë dhe disa avionë luftarakë, ndërsa Franca do të kontribuojë me rreth 1.000 ushtarë, dronë zbulues dhe sisteme kundër dronëve.
Gjermania do të marrë pjesë me rreth dhjetë oficerë shtabi, avionë cisternë dhe kapacitete logjistike. Gjatë stërvitjes do të simulohen lëvizja e trupave, furnizimi me ushqime dhe karburant, koordinimi i operacioneve të përbashkëta dhe operacionet ajrore në territorin polak. Përveç aspektit ushtarak, stërvitja synon të tregojë se vendet evropiane janë të gatshme të marrin një rol më të madh në garantimin e sigurisë së Ukrainës pas përfundimit të luftimeve.
“Koalicioni i të Gatshmëve” u krijua në fillim të vitit 2025 dhe përfshin rreth 35 shtete. Sipas planifikimeve, një forcë shumëkombëshe mund të vendoset në Ukrainë pas një marrëveshjeje armëpushimi, me detyrën për të ndihmuar në rindërtimin dhe forcimin e ushtrisë ukrainase, rihapjen e hapësirës ajrore dhe pastrimin e minave në Detin e Zi. Megjithatë, kjo forcë nuk do të ishte pjesë e NATO-s dhe as një mision tradicional paqeruajtës apo monitorues i armëpushimit, por do të kishte karakter mbështetës dhe parandalues. Dislokimi i saj mbetet ende i pasigurt, pasi nuk ka një marrëveshje për përfundimin e luftimeve.
Rusia ka kundërshtuar kategorikisht praninë e trupave të huaja në Ukrainë, duke paralajmëruar se ato do të konsideroheshin objektiva legjitime. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se vendosja e forcave të huaja do të përbënte ndërhyrje ushtarake dhe do të krijonte kërcënime shtesë për sigurinë e Rusisë.
Ndërkohë, ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi aftësinë e vendeve evropiane për të krijuar një forcë parandaluese të besueshme dhe për të reaguar ndaj kërcënimeve të mundshme nga avionët, dronët dhe raketat ruse, pa rrezikuar përshkallëzimin e konfliktit.


