Rovena Gashi kërkon Arta Markun në sallën e gjyqit

schedule17:20 - 31 Janar, 2018

schedule 17:20 - 31 Janar, 2018

Pasi e paditi në Gjykatën Administrative, prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme Rovena Gashi kërkon që kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku të paraqitet personalisht në gjykatë.

Kërkesa u artikulua në seancën e të mërkurës nga avokati mbrojtës i Gashit, Çlirim Gjata, pak pasi ai debatoi ashpër me përfaqësuesen e Prokurorisë së Përgjitjshme. Gjata shprehu mungesën e një motivacioni zyrtar në urdhrin për lirimin e klientes së tij nga detyra e Drejtoresës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërsa juristja e Prokurorisë së Përgjithme, Pranvera Gruda, tha se Gashit i ishte komunikuar verbalisht fakti se kishte shkelur ligjin dhe etikën kur nuk ishte konsultuar me kryeprokuroren para se të dergonte në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve rezultatet e verifikimit për deputetët Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica.

Në seancë Gjata këmbënguli në faktin se Marku nuk kishte kompetencë për urdhrin për lirimin e prokurores nga funksionet e saj. Duke përmendur rolin kyç të Drejtorisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme për çështjen e ekstradimeve Gjata bëri një supozim në lidhje me rastin e shumëdebatuar të ditëve të fundit  mbi ekstradimin e Nezar Seitit.

 

Gjykata Administrative shtyu seancën për në datën 13 shkurt për t’i dhënë kohë palës së paditur të shprehet në lidhje me kërkesën për paraqitjen e kryeprokurores në sallën e gjyqit./abcnews.al