Rikthehet IPKO Superliga, Llapi triumfon me “poker” ndaj vendit të fundit

schedule17:54 - 5 Qershor, 2020

schedule 17:54 - 5 Qershor, 2020

Llapi-Dukagjini ishte ndeshja që riktheu IPKO Superligën e Kosovës. Djemtë e Batatinës shënuan katër gola dhe fituan 4-1 kundër skuadrës së vendit të fundit. Goli i parë erdhi shumë shpejt. Elvis Prençi shfrytëzoi një asist të Zhdrellës dhe kaloi vendasit në avantazh në minutën e 3-të.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në të dytën u shënuan katër golat e tjerë. Kastriot Selmani shënoi me kokë në minutën e 48-të, ndërsa miqtë shkurtuan rezultatin tre minuta më pas me anë të Erblind Mulajt. Skuadra nga Podujeva u hodh sërish në sulm dhe gjeti golin e tretë në mesin e pjesës së dytë.

Ersil Ymeri dërgoi topin në rrjetë, teksa “pokeri” u vulos në minutat shtesë nga një goditje fantastike e Valmir Veliut. Kjo fitore e ngjit Llapin në kuotën e 37 pikëve, katër më pak se Gjilani dhe Prishtina që ndajnë vendin e tretë. /abcnews.al

Java e 23-të e IPKO Superligës së Kosovës
Llapi-Dukagjini 4-1
(Prençi 3′, Selmani 48′, Ymeri 68′, Veliu 90+3′ / Mulaj 51′)