REPORTAZH/ Në Kullë të Durrësit, banorët flenë në rimorkio dhe serra: Falenderojmë Zotin që na la gjallë

schedule10:13 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 10:13 - 2 Dhjetor, 2019

Shtëpi të shkatërruara, banorë të frikësuara që flenë në serra, dhe një mungesë totale e interesimit nga strukturat shtetërore.

Fshati Kullë është vetëm pak kilometra larg epiqendrës së tërmetit të magnitudës 6.4 të shkallës Richter që shkaktoi 52 viktima dhe rreth 1 mijë të lënduar.

“Abc News” ishte në fshatin Kullë duke marrë dëshmitë e banorëve, të cilët për fat të mirë nuk kanë pësuar dëmë në njerëz, ndryshe nga Thumana dhe Durrësi.

Një familje ishte me shumë fat. Ata dolën nga shtëpia gjatë lëkundjeve para tërmetit të madh duke i shpëtuar vdekjes.

“Ne dolëm pas tërmetit të orës 03:00 dhe djali tetë vjeçar na tha se nuk mund të futeshim më brenda se ishte i frikësuar. Pastaj na telefonuan prindërit e nuses dhe shkuam tek ata. Po ngroheshim në nbjë sobë dhe filluan lëkundjet e forta. Ne jetën e kemi nga djali ynë i vogël, pasi kur erdhëm pamë që shtëpia ishte shkatërruar”, shprehet një banor.

Hyjmë në një tjetër shtëpi. Aty duket çdo gjë e shkatërruar, për fat të mirë nuk ka dëmë në njerëz.

Dhoma e gjumit, kuzhina dhe gjithçka janë përtokë. Vetëm njerëzit kanë dalë gjallë.

“Pas tërmetit të 21 shtatorit nuk ka ardhur askush ta shohë të na thotë largohu ose rri këtu. Ka ardhur vetëm administratori i bashkisë”, shprehet një tjetër banor.

“Na kanë ardhur kamionë nga Kosova që na ndihmuan. Askush nuk na ka dhënë asgjë”, vijon ai.

Edhe pse shtëpitë janë dëmtuar, banorët shihen duke nxjerrë plaçkat nga banesat, sepse vetëm ato u kanë mbetur.

Zgjidhja për disa janë të fjeturit në serra ose rimorkio makine, kurse të tjerë kanë ikur tek të afërmit.

“Që natën e tërmetit banojmë këtu në rimorkion e kësaj makine. Dihen kushtët këtu. Kemi falenderuar Zotin që na la gjallë dhe prandaj s’kemi kërkuar gjë tjetër. Jemi shumë të traumatizuar”, shprehet një banore.

Kulla i gëzohet faktit që nuk kanë humbur njerëz, ndërsa tani u duhet të rekuperojnë dëmët e shumta të tërmetit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!