Parandalohet ngjarja kriminale në Durrës. Tre persona janë vënë në pranga pasi kanë kanosur me armë zjarri një 44-vjeçar. Të arrestuarit janë Bajram Roçi, Bekim Çera dhe Ylli Murati.
Njëri prej të arrestuarve ka rezultuar me precedent për vjedhje me armë.
Ndërkohë nga ky operacion janë sekuestruar 3 armë zjarri, municion luftarak, si edhe 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar. Gjithashtu, sekuestrohen 1 radio e lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës, e cila së bashku me 2 armë zjarri dhe me automjetin e blinduar, mbaheshin nga shtetasi me precedent kriminal.
“Menjëherë pas njoftimit, për një rast kanosjeje në rrugën “Pavarësia”, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit Operacional dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Durrës, kanë shkuar në zonë, dhe si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, si dhe i punës së mirëorganizuar, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë autorët e rastit. Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Intervention”, janë vënë në pranga shtetasit 40 vjeç, 30 vjeç dhe një tjetër shtetas 30 vjeç, të tre banues në Tiranë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur me armë zjarri, një shtetas 44 vjeç. Nga kontrolli në automjetin e blinduar të 40-vjeçarit u gjeten 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pistoletë). Më tej, nga kontrolli fizik ndaj këtij shtetasi, u konstatua se mbante dhe 1 radio të lidhur me kanalet e komunikimit të DVP Durrës. Në vijim të operacionit “Intervention”, nga kontrolli në banesën e babait të shtetasit të arrestuar B. R., u gjet 1 armë zjarri pistoletë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/