Reagimet pas ndeshjes Kukësi-Vllaznia, Longo: U treguam cinikë, e dinim forcën e Vllaznisë

schedule16:15 - 24 Tetor, 2021

schedule 16:15 - 24 Tetor, 2021

Kukësi arriti të fitojë kundër Vllaznisë, me rezultatin 2-0, duke iu shkaktuar shkodranëve edhe humbjen e parë në këtë kampionat. Më fitoren e sotme skuadra e Kukësit arrin 11 pikë.

Në një intervistë pas ndeshjes për “Supersport” trajneri Diego Longo u shpreh i kënaqur me fitoren dhe me atë që lojtarët dhanë në fushën e lojës.

“Vllaznia është një ekip shumë i mirë, që i shënoi 6 gola Dinamos dhe e dinim që janë skuadër pretendente për titullin kampion. E dinim se për të fituar duhej të ishim shumë kompaktë dhe ia dolëm të shënojmë dy gola, por mund të bënim më shumë. Ata luajtën shumë mirë, por edhe ne u treguam racionalë.

Jam i kënaqur që nuk pësuam asnjë gol sot dhe rregulluam balancat. Kemi punuar shumë dhe po rritemi, por tani duhet të shënojmë më shumë, pasi i kemi mundësitë. Basha është një lojtar fantastik, por unë doja diçka ndryshe.

Për mënyrën se si luajmë nuk varemi shumë nga qendra e mbrojtjes, por unë mendoj se Lulaj është mbrojtësi më i mirë në Superiore, ndërsa Bytyçi është një i ri shumë i talentuar ,që shumë shpejt do të jetë pjesë e U21-shit. Megjithatë kur sulmon gjithmonë, ndonjëherë edhe do kapesh në vështirësi e të pësosh. Duhet të jemi të gjithë kompaktë dhe sot ishim kështu, ndaj fituam”, deklaroi trajneri i Kukësit. /f.a/abcnews.al