Raporti i ODHIR, Basha: Votimet u bënë pa zgjedhje, opozita u përjashtua padrejtësisht

schedule22:07 - 1 Korrik, 2019

schedule 22:07 - 1 Korrik, 2019

Lulzim Basha deklaroi se pas zgjedhjet të 30 Qershorit, opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar se më parë. Kreu i Partisë Demokratike tha se gjetjet e OSBE/ODIHR nxorrën qartë se këto votime nuk ishin në interes të qytetarëve.

Nga gjetjet paraprake të OSBE/ODIHR, rezultoi se zgjedhjet e 30 Qershorit nuk i shërbyen interesit të popullit shqiptar. Kështu u shpreh kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili shtoi se opozita u përjashtua pa të drejtë nga administrimi dhe monitorimi i zgjedhjeve.

“Sot OSBE-ODIHR dha gjetjet paraprake:

  • 30 qershori nuk ishte në interesin e qytetarëve shqiptarë
  • Votime pa zgjedhje
  • Përjashtim i padrejtë i opozitës nga administrimi dhe monitorimi i zgjedhjeve
  • Mos funksionim gjykatash
  • Vendime të gabuara të KQZ-së
  • Marrje e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe probleme të tjera serioze.

Demokratët, opozitarët, shqiptarët e thjeshtë ia dështuan planet Edi Ramës. Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë.”

Kreu i opozitës, theksoi se pas këtyre zgjedhjeve, opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar.

“PD doli më e forte dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 Qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori. 30 qershori  zbuloi fytyrën e vërtetë të Partisë Socialiste të shkatërruar nga Edi Rama: ajo është parti që tashmë e mbështesin vetëm për para.”

Për Bashën, mesazhi i Shqiptarëve ishte i qartë, 85% e demokratëve dhe socialistëve, bojkotuan procesin zgjedhor duke kërkuar ndryshimin e thellë.

“Tani ndryshimi është prioriteti ynë politik. Ndryshimi është qëllimi im më i madh. Një ndryshim i thellë politik dhe ekonomik. Fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim. Nëse politikanët nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Nëse politikanët nuk dalin para drejtësisë për korrupsionin dhe krimet e tyre asnjë ndryshim nuk do të jetë i vërtetë.”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!