Rama: Të ardhurat janë goditur, deri në qershor humbasim gjysmë miliard euro

schedule16:56 - 17 Prill, 2020

schedule 16:56 - 17 Prill, 2020

Kryeministri Edi Rama në një komunikim publik me qytetarët, deklaroi se vendi ynë ia ka dalë deri më tani mrekullisht teksa përballet me pandeminë globale COVID-19. Rama bëri me dije se javën e ardhshme vendi do të përgatitet për kategoritë të cilat do të hapen më 27 prill. Gjithashtu kryeministri theksoi se për shkak të koronavirusit, muajin mars shteti ka humbur 100 milion euro, në muajin prill sipas kryeministrit do të humbasë 170 milion euro.

“Javën e ardhshme duhet të fillojmë të përgatitemi për t’u hapur të gjitha kategoritë që do të hapen më 27 prill. Nga java e ardhshme, pasojat e shkelësve për rregullat, në radhë të parë për lokalet e trimave të lagjes që hapen fshehurazi do të jenë maksimale.

Unë dhe kjo qeveri do të bëjmë gjithçka që t’u gjendemi pranë gjithkujt, por mbajeni parasysh, kjo shtëpi, ky shtet ka humbur si rezultat i kësaj lufte 100 mln euro në muajin mars. 170 mln në prill dhe me gjasë do të humbasë 170 milion në maj dhe 100 milion në muajin qershor, që është në total gjysmë miliard euro, nuk po ju qahem dhe as po ankohem.

Por, nuk do të thotë se do ju harrojmë, por thjesht po ju them se edhe në shtëpinë tonë të madhe janë goditur dhe duke marrë parasysh se sa shumë po bëjmë, të ardhurat janë goditur fort. Unë dua që ju të merrni më shumë nga sa kërkoni, se sot ju jeni më shumë se kurrë familja ime, por kam përgjegjësinë se kjo shtëpi të ketë dinjitet.

Mos dëgjoni ato që detin e kthejnë në kos! Ne do të fillojmë këtë luftë dhe ne do ta kuptojmë se sa e mirë mund të jetë Shqipëria”, deklaroi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!