Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vjedhjen e marrëveshjes sekrete ushtarake Shqipëri-SHBA në ambientet e Kuvendit nga kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj.
Me videon e shoqëruar nga momenti kur Shehaj rrëmben dokumentin dhe largohet me vrap nga zyra e administratës së Kuvendit, kreu i qeverisë e akuzon kreun e Partisë Mundësia, një ballist që sipas tij, vërteton se vesi del me shpirtin.
“Ky tipi që vjedh një dokument të klasifikuar dhe ia fut vrapit, është një ballist që ngre dhe ul hajdutë që i dalin përpara, por siç e shihni sot tentoi të ikte me vrap njësoj si ballistët pasi hynin në kotec për të grabitur pula, duke na dëshmuar botërisht se vesi del me shpirtin.”, thotë kryeministri Rama.
Kryeministri i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetime ndaj Shehajt për marrjen e një dokumenti të klasifikuar, ndërsa shpreh keqardhje për lëndimin e punonjëses së Kuvendit, e cila u rrëzua nga shkallët gjatë përpjekjes për të ndalur Shehajn.
“Uroj, por nuk shpresoj, që Prokuroria t’i tregojë vendin e përcaktuar nga ligji për grabitësit e dokumenteve të klasifikuara kësaj sorre vjedhacake të mbushur me urrejtje, ndërkohë që i shpreh keqardhje vajzës së pafajshme, duke falënderuar Zotin që shpëtoi pa dëme serioze nga rendja në panik pas hajdutit.”, shprehet Rama.
Në një akt të paprecedentë, kryetari i Partisë Mundësia dhe deputeti Agron Shehaj shkeli me duar dhe këmbë konfidencialitetin e një marrëveshjeje të rëndësishme mes SHBA-së dhe Shqipërisë, duke nxjerrë zbuluar një sekret shtetëror.
Ai mori në sekretariatin e Kuvendit dokumentin e marrëveshjes së huas prej 302 milionë dollarësh, duke u larguar me vrap jashtë.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i ka bërë thirrje institucioneve ligjzbatuese ta arrestojnë në flagrancë Agron Shehajn për vjedhje të dokumenteve të Kuvendit dhe agresion ndaj një punonjëseje të administratës.
Por Partia Socialiste po ndjek rastin hap pas hapi. Me një shkresë urgjente, i është kërkuar Parlamentit të Shqipërisë të referojë Agron Shehajn në SPAK për 4 vepra penale:
Përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj;
Vjedhja ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes;
Grabitja, sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante;
Pengimi i detyrës së funksionarit publik, sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas argumentimit të PS-së, dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cenon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali te aktorë të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët.
Ndërsa Agron Shehaj vijon të shfaqet si një politikan problematik në Parlament, por pa i hyrë gjemb në këmbë, ky është një tjetër test për SPAK.
Tashmë u bënë javë prej denoncimit të vilës së tij në Itali, të cilën e bleu 2.9 milionë euro në vitin 2021 dhe më pas e shiti 5-fishin e çmimit, 15 milionë euro në vitin 2025.
Dyshime ngrihen tashmë mbi pasurinë e vetë Shehajt, si dhe veprimet e pakontrolluara të tij, por edhe standardin që ndjek SPAK me një deputet të Parlamentit, ndryshe nga shumë të tjerë.



