Kryeministri Edi Rama ka hapur podcast-in e tij “Flasim” me një reagim të fortë ndaj kritikave që po bëhen ndaj librit “The Albanian Files”. Ai e cilësoi botimin si një projekt editorial tërësisht të pavarur, i cili përmbledh punën dhe idetë e 60 arkitektëve dhe studiove ndërkombëtare që kanë kontribuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Sipas Ramës, sulmet ndaj këtij projekti janë një “inkuizicion revolucionar” që buron nga fryma e protestave të bulevardit.
Kreu i qeverisë sqaroi se ai ka shkruar vetëm një tekst parathënës dhe nuk ka asnjë lidhje me botimin apo kontrollin e librit. Ai u ndal edhe te polemikat për shënimin e një arkitekti ku përmendej ideja për “t’u bërë mbret”, duke sqaruar se bëhet fjalë për një tekst plotësisht autoironik. Për kryeministrin, kthimi kokëposhtë i këtij fragmenti tregon pikërisht faktin se libri është tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar.
“Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar që i lidh së bashku në gjithë faqet e librit, Shqipëria. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin. Një inkuizicion që buron nga fryma e bulevardit ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është dega inkuizicionale që përndjek, në kuptimin me fjalë, me akuza, me shpifje, një nga gjërat dhe një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë së këtyre 30 viteve dhe historisë së Shqipërisë. Njerëz që e kanë bërë emrin dhe historinë e tyre në skenën e arkitekturës botërore dhe janë mbledhur në Shqipëri duke dhënë kontribute që ndër të tjera, do të bëjnë që ky vend dhe vajzat e djemtë e këtij vendi, arkitektë, urbanistë, nesër të nxjerrin emër shqiptari që do të shkëlqejë në skenën e botës sepse ne kemi universitetin më të madh dhe prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban ku arkitektë rrisin ekspertizën e tyre. The Albanian Files është vendosur nën shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që nuk është libri im dhe as i botuar prej meje, unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës që është krenari që si kryeministër i Shqipërisë, isha i ftuar ta shkruaja me gjithë këtë armatë arkitektësh dhe ka ardhur si projekt editorial tërësisht i pavarur dhe janë kontribute të studiove që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Është diçka fenomenale, ka gjëra të diskutueshme, të kritikueshme, të debatueshme, por t’i qepesh një botimi të tillë dhe të kapesh me një tekst autoironik i një arkitekti që përfaqëson një prej studiove më të mëdha, është kulmi!
E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, e cila natyrisht është një letër që mua s’më ka ardhur, se s’kishte as pse të më vinte, është shënim në dosjen e arkitektit, ku më thotë: “Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën…” e të tjerë, e të tjerë. Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, por tregon që, në fakt, libri është tërësisht i lirë, i pakontrolluar”, tha Rama.



