Rama: Nuk lejojmë që 530 mln dollarë të kthehen tek “oligarkët”, nuk bëjmë fushatë me taksat

schedule11:54 - 2 Shkurt, 2021

schedule 11:54 - 2 Shkurt, 2021

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se me vendosjen e taksës së sheshtë buxheti i vendit do të humbiste 530 milionë euro taksa, që do të mbetnin në xhepat e biznesmenëve të mëdhenj.

Shefi i qeverisë ka theksuar këtë të martë se një gjë e tillë nuk do të lejohet nga qeveria që ai drejton.

“Ne nuk do të bëjmë asnjë fushatë me taksën por kush fiton më shumë do të paguajë më shumë dhe e anasjellta. Ne jemi të akuzuar pafundësisht si qeveria dhe forca politike që mbron oligarkët ne nuk do ti lëmë në asnjë mënyrë 530 mln dollarë që të mbeten në xhepat e kompanive të mëdha apo siç i quajnë këto oligarkët dhe pse hiqen sikur i luftojnë. Ne nuk do ti lëmë këto para që janë për tu investuar dhe të kthehen pas siç ndodhte para se ne të vinim në qeveri dhe të vendosnim këtë parim në xhepat e të pasurve”, ka thënë ai.

 

Gjithashtu në një konferencë të përbashkët me ministrin Arben Ahmetaj, Rama është shprehur se Partia Socialiste nuk do të bëjë fushatë me taksa.

Sipas tij shqiptarët janë në gjendje që të mendojnë dhe të zgjedhin me votë në bazë të karakterit të lidershipit dhe të forcës politike.

“Qytetarët e kanë të thjeshtë mjafto që të ballafaqojnë karakteret pastaj programet dhe çfarë është bërë dhe kush do të bëjë më shumë. Nga karakteri i lidërshipit, i forcave politike dhe unë mendoj se qytetarët kështu bëjnë gjithmonë kur votojnë. Ne e kemi thënë me kohë se do të ndajmë me shqiptarët një platformë për Shqipërinë e vitit 2030 pasi ne jemi në kushtet që nuk mund të flasim për një program elektoral, por për një vizion dhe ecurinë e mëtejshme të punëve të vendit për të ndarë me qytetarët bindjen tonë se ne jemi në gjendje të bëjmë atë që ne duam. Së shpejti besoj se do e ndajmë këtë vizion me qytetarët”, ka thënë Rama. /abcnews.al