Rama në Pustec: Investoni në agroturizëm, të përfitoni fonde

schedule21:04 - 28 Shtator, 2018

schedule 21:04 - 28 Shtator, 2018

Qeveria fton banorët e zonave turistike të investojnë në agroturizëm për të perfituar fonde nga projekti “100 fshatrat”. Kryeministri Rama tha sot në Pustec se transformimi i këtyre fshatrave do të tërheqë më shumë turistë në vendin tonë.

Kryeministri Rama kërkon nga banorët e Pustecit  dhe të zonave të tjera turistike të vendit të investojnë në agroturizëm për të përfituar nga fondet e projektit të qeverisë për 100 fshatrat.

Kryeministri ishte në zonën turistike të Pustecit, buzë liqenit të Prespës në juglindje të vendit, që është pjesë e projektit të qeverisë “100 fshatra”.

“Për agroturizmin, pra, paratë që ne i kemi nuk janë shumë, por janë aq, sa ne nuk kemi arritur dot t’i shpenzojmë akoma për mungesë projektesh dhe për mungesë ndërveprimi midis subjekteve të interesuara, pushtetit vendor dhe pastaj qeverisë?

Në këtë rast, qeveria i ka vënë fondet në dispozicion. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural e ka shpallur Programin. U anulua njëherë, është rihapur përsëri. Me marrjen e parave të Fondit të Komisionit Europian do të kemi shumë më tepër në vitin e ardhshëm. Ato para, të cilat, e përsëris, nuk janë kredi, nuk janë borxhe, nuk kanë asnjë interes, janë para drejtpërdrejtë për njerëzit që duan të zhvillojnë agroturizmin, që duan që shtëpinë e tyre ta kthejnë në një bujtinë, që duan në tokën e tyre të ndërtojnë një hotel për të pritur të tjerë, duke iu ofruar bukurinë e zonës, traditën e mikpritjes dhe ushqimin, sigurisht, edhe dhomën për të fjetur, të mund t’i marrin këto para”.

Shefi i qeverisë tregoi se si me ndërhyrje në dukje minimaliste, mund të hapet rruga e një transformimi shumë të rëndësishëm në Pustec, që do të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë.

“Kjo është një mënyrë jo për të mbijetuar, por është një mënyrë për të jetuar mirë. Agroturizmi është një mënyrë për të jetuar mirë. Nëse në një zonë si kjo është shumë e vështirë të konceptosh një zhvillim bujqësor apo blegtoral të atillë që të sjelli të ardhura për të jetuar mirë, është shumë e lehtë të konceptosh një punë të mençur në agroturizëm, që të sjelli të ardhura për të jetuar mirë për një familje, për një grup familjesh, apo për shumë familje”.

Për ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, numri i vizitorëve ka shënuar rritje në të gjithë vendin nga viti në vit.

“Është koha që natyrën ta përkthejmë në vlera ekonomike për banorët e zonës për të rritur mirëqënien dhe për të arritur shumë më shumë se këtë vit, për të rritur numrin e turistëve”.

Banka gjermane për Zhvillimin, si një partnere e qëndrueshme në zonat e mbrojtura ka ofruar 3.5 milionë euro për zhvillimin e zonës së Prespës. /abcnews.al