Rama ironizon opozitën gjatë inspektimit të Unazës së Madhe

schedule19:57 - 16 Tetor, 2018

schedule 19:57 - 16 Tetor, 2018

Edi Rama ka inspektuar fillimin e punimeve në kantierin e Unazës së Madhe të Tiranës, ku sipas tij ka një dallim të dukshëm për cilësinë e punimeve, të kryer më herët nga opozita dhe tani nga qeveria.

Kreu i ekzekutivit nuk la pa përmendur edhe çështjen Babale, ndërsa në bisedën e tij kishte edhe krahasime me nuanca humori.

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish opozitën duke përmenduar “Babalen”, gjatë inspektimit të punimeve për Unazën e Madhe të Tiranës.Shefi i qeverisë ka bërë edhe dallimin mes cilësisë së punimeve në kohën e qeverisë së PD dhe qeverisë së tij.

“Ajo vrima aty me gjithë ato tubat qenka si partia jote me Babalen aty, ndërkohë që ne vazhdojmë rregullojmë dhe fillojmë nga e para dhe transformojmë gjithë gungat dhe bërdungllat që latë ju. Ju na turpëruat dhe në Bruksel dje, por ne nuk kemi rrugë tjetër. Ne do ta shembim ato, do vazhdojmë drejt kështu që të marrin shembull nga bashkëpunimi jonë si shtet me sipërmarrjen” – u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se nga investimet në këtë zonë do të duhet të bëhen shpronësime, familje të cilat Kryeministri pohoi se do të kompensohen sipas ligjit përkatës.

“Shpronësimet do t’i bëjmë sipas të gjitha rregullave. Ata që janë para ’90, atyre u takon 100% pavarësisht se tek letrat kanë ato problematikat e tyre se ka pasur gjithmonë problematike kjo zonë por ata do trajtohen me maksimumin e vëmendjes. Ata që janë në hava, do tu jepet një zgjidhje sociale dhe kaq. Nuk ka tjetër, si kudo” – tha Rama.

Projekti integron Shkozën me unazën e madhe të qytetit dhe do të plotësojë të gjitha standardet e kategorive urbane të nivelit.Bashkë me Kryeministrin, në atë lot ishte edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri si edhe drejtoi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro. /abcnews.al