Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Rama gjyqtarëve: Jeni më të paguarit/ Kryeministri kritika ndaj vendimit për pagat pa pritur Kuvendin

schedule16:12 - 13 Shtator, 2026

schedule 16:12 - 13 Shtator, 2026

Debati mbi pagat e magjistratëve u rikthye këtë të diel, sërish nga kryeministri Edi Rama, për t’i vendosur edhe disa pika mbi i.

“Po pse, për çfarë jeni ju, partia e çekanëve, për çfarë e keni atë çekiçin, për parti, për luftë politike, për të dalë dhe për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike?”, nënvizoi kryeministri.

Por reagimin Rama më shumë se për gjyqtarët dhe prokurorët e pati për dy Këshillat, atë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që kryeministri thotë se janë zanafilla e konfliktit të lindur, kur ata vendosën vetë të rrisin pagat e gjithë sistemit dhe t’i drejtohen Thesarit të Shtetit, pa pritur vendimin e Kuvendit që duhet të miratojë formulën e re.

“Dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi, dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga, shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e misionit që kanë si trupa qeverisëse të sistemit të drejtësisë, që është i pavarur, jo më në letër, por në realitetin faktik të Shqipërisë, ku pavarësia aq sa ka sjellë të mira, aq edhe ka sjellë sfidën e madhe të rrëshqitjes në papërgjegjshmëri, por nuk dua të hyj në këtë temë.”, shtoi kryeministri.

Kryeministri e pranon që Kuvendi veproi me vonesë në adresimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ai kritikon rrugën që ndoqën institucionet, të cilat fillimisht duhet të kishin komunikuar me qeverinë mbi zgjidhjen.

“Sa e shëmtuar, sa vulgare është atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe nga një barrikadim i atij pushteti të pavarur, kushtetues, që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë e mbi të gjitha mbi vetveten, e mbi të gjitha përtej germës së ligjit të garantojë një shembull. Kështu kërkohet e drejta? Me dhunë, me arbitraritet, pa shterruar asnjë nga hapat e tjerë, po ku jemi ne këtu?”, tha Rama.

Por çështja do të marrë zgjidhjen, theksoi Rama, dhe vendimi i Kushtetueses do të zbatohet, siguroi ai.“Ka një vendim që ne nuk na shkon mendja të mos e respektojmë, por ka dhe një afat, 31 korriku, që nuk u përmbush dot për shkak të procesit parlamentar dhe duam të dimë si e keni ju këtë ide. Do ta respektoj vendimin e Kushtetueses dhe do të bëj atë që është, sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese, por kërcënime dhe pengmarrje për pushtete të tjera të pavarura, si ekzekutivi e legjislativi, askush nuk duhet të bëjë.”, është shprehur kryeministri.

Në të njëjtin reagim, Rama shoqëron qëndrimin e tij edhe me një tabelë krahasuese për pagat e gjyqtarëve në rajon. Sipas të dhënave të publikuara, një gjyqtar fillestar në Shqipëri paguhet aktualisht 3 mijë e 241 euro bruto në muaj, rreth 500 euro më shumë se kolegu në Greqi, ndërsa Shqipëria renditet e dyta pas Rumanisë.

Por, sipas llogaritjeve të paraqitura nga kryeministri, me rritjen e kërkuar, paga mesatare e gjyqtarëve do të tejkalonte edhe nivelet e pagave në Greqi, Rumani e Slloveni. Rama thotë se diferenca me pagën mesatare të administratës shqiptare do të shkonte në 470%, ndërsa paga mesatare e gjyqtarëve do të ishte rreth 1 mijë euro më e lartë se ajo e Presidentit dhe 2 mijë e 200 euro mbi pagën e ministrit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!