Rama: Do t’i rikthejmë Vlorës qendrën historike

schedule12:47 - 17 Shkurt, 2019

schedule 12:47 - 17 Shkurt, 2019

Gjatë qëndrimit në Vlorë, kryeministri Edi Rama u ndal në inspektimin e punës për rindërtimin dhe restaurimin e qendrës historike të Vlorës, gjë që sipas tij, do të përmirësojë ndjeshëm perspektivën turistike.

Punën për rindërtimin dhe restaurimin e godinave historike dhe monumenteve të kulturës në qendrën historike të Vlorës, e inspektoi vetë kryeministri Edi Rama. Projekti përfshin ndërhyrje në 68 objekte, monumente kulture dhe objektetë zonës arkeologjike B të qytetit.

Ministria e Kulturës shpjegon se gjatë punimeve janë bërë edhe zbulime të papritura.

“E gjithë kjo u zbulua në momentin që filluan prishjet dhe heqjet e suvatimeve. Këtu kanë ecur avash për të bërë dhe pjesën e restaurimit si qëndisje”, tha ajo.

E gjithë kjo përmirëson ndjeshëm perspektivën turistike të zonës sipas kryeministrit.

“Unë pashë Korçën herën e fundit, gjithë ajo zona e pazarit tani ka hyrë komplet në atë sistem që duhet të hynte dhe këtu do ndodhë e njëjta gjë. Do bëhet zonë turistike fantastike”, u shpreh Rama.

Derimë tani, sipas njoftimit të zyrës së medias në Kryeministri, ndërhyrjet kanë përfunduar në 53 objekte në rrugën “Justin Godar”, ish-pazari, “Lagjja e hebrenjve”, klubi “Labëria” dhe ish-Sinagoga, xhamia e Tabakëve, më e madhja e qytetit./abcnews.al