Ndëshkimi me burg për ata që kërcënojnë jetën e konsumatorëve do të shërbejë për rritur sigurinë ushqimore. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në një fabrikë mielli në Tiranë.
Ndryshimet në Kodin Penal për sigurinë ushqimore ka shkuar t’i diskutojë edhe më ata që nuk dihet ta cënojnë.
“E vërteta është që situata përpara disa vitesh ishte shumë xhungël. Nuk merrej vesh çfarë futej. Nuk merrej vesh çfarë prodhohej. Patëm masën e parë të shtrëngimit, që ta ndalojmë grurin me proteinë nën 12%. U bë goxha betejë, sepse janë lobe, janë interesa, janë para e madhe dhe ndërkohë tani është koha që t’i japim fund çdo lloj pasigurie dhe çdo lloj kërcënimi që vjen për shëndetin nga ushqimi, sidomos nga ushqimet që janë prodhime industriale, siç është buka, sepse për sa i përket frutave dhe perimeve e vërteta është që është bërë zhurmë e madhe krejtësisht e padrejtë”, tha kryeministri.
Ndërsa për bukën e të tjerat shqetësimi është real tha kryeministri gjatë vizitës në një fabrikë mielli.
“Kështu që vendosja në Kodin Penal të masave që çojnë në heqje lirie për ata që kërcënojnë shëndetin do sjellë, jam i bindur, një përmirësim të menjëhershëm, sepse, në fund të fundit edhe një pjesë e atyre që e bëjnë këtë punë, e bëjnë me lehtësi, nuk e marrin shumë seriozisht edhe për faktin që, është diçka që sistemi nuk ka arritur dot ta godasë, apo ta frenojë. Me këtë, besoj që do vendoset standard përfundimisht për produktet ushqimore që vijnë nga industria e lehtë. Është e domosdoshme”, tha Rama.
Investitori pohoi se kjo formë abuzimi ka goditur edhe vetë prodhuesit.
“Të themi të drejtën kemi vuajtur shumë, por tani ka filluar duke punuar mirë. Vjet për herë ta parë, pas 3 vitesh humbje dolëm me fitim. Sivjet po përsëri duket mirë. AKU ka filluar të lëvizë me bllokimin e miellit të skaduara dhe bëheshin disa lojëra në Mal të Zi dhe në Kosovë”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, deklaroi se masat e reja legjislative do t’i japin fund edhe abuzimeve nga prodhuesit e vegjël në furrat e bukës./ABC News Albania 24/7