Qeveria e Kryeministrit Haradinaj ka në dispozicion 200 këshilltarë

schedule11:07 - 2 Nëntor, 2017

schedule 11:07 - 2 Nëntor, 2017

Mediat kosovare shkruajnë se në qeverinë e kryeministrit Haradinaj janë plot 200 këshlltarë, të cilët asistojnë kreun e qeverisë dhe ministrat e tij. Vetë Haradinaj ka 16 këshilltarë rreth tij.

Në kabinetin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj janë 16 këshilltarë, të cilët asistojnë kreun e qeverisë. Mediat kosovare raportojnë se njëri nga ministrat e tij i ka 9 këshilltarë politikë dhe asistentë personalë. Sipas të përditshmes kosovare Zëri, për pagat e këshilltarëve të kryeministrit dhe të ministrave brenda vitit, nga buxheti i Kosovës,  shpenzohen rreth 2 milionë euro.

Nga 7 deri në 10 këshilltarë kanë edhe 20 ministrat tjerë të kësaj Qeverie, ndërsa paga e një këshilltari të ministrit është mesatarisht 600 euro, kurse këshilltarët e kryeministrit marrin pagë mujore prej rreth 1500 eurosh.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në ueb-faqen e këtij dikasteri qeveritar tashmë ka publikuar emrat e 7 këshilltarëve politikë, si dhe të dy asistenteve administrative.

Përveç numrit të madh të ministrive, Qeveria e Kosovës pritet të ketë rreth 50 zëvendësministra, të cilët po ashtu kanë të drejtë të emërojnë asistentë.