Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Shkodra se PS nuk mund të akuzohet për tradhti, teksa iu referua protestuesve në Tiranë.
Kreu i qeverisë deklaroi se interesi kombëtar është prioritet për PS.
“Harrojnë krejtësisht se me kë kanë të bëjnë, kam parasysh veten time, qeverinë tonë, shumicën tonë qeverisëse, PS. Harrojnë që kanë të bëjnë me një forcë që mund ta kritikosh për shumëçka, por askush nuk mund të çohet dhe të tregojë gishtin, si forcë që ka tradhtuar interesin kombëtar. Interesi kombëtar ka qenë për PS, një pikë e lëvizshme referimi. Në këto ujëra, kalonin anijet, varkat, makinat e kontrabandës së naftës që furnizonte makinerinë vrastare të Sllobodan Millosheviçit.
Kalonin me bekimin e atyre që ditën flisnin për lirinë e Kosovës, kundër diktaturës që po shkatërronte Jugosllavinë dhe natën furnizonin makinerinë që përdorej kundër atyre që donin të shpëtonin nga kthetrat e regjimit fashist në Beograd. Ata të tjerët e sulmonin UÇK, bënë çmos që ta sabotonin Rambujenë. Ja si historia përsëritet në forma të ndryshme. Që t’i thuash kësaj partie sot, dhe mua në krye të saj, çfarëdo qoftë në lidhje me tradhtinë, duhet të jesh i pafytyrë, pa atdhe. Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve, ka qenë parullë që frymëzonte dhunën, është diçka që sot të çon realisht lëkurën dhe ta bën mishin kokërr, sepse çfarë do na ndodhte ne shqiptarëve, po të thoshin italianët. Italia është e italianëve, ikni ju të tjerët”, theksoi ai./abcnews.al


