Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektet e qeverisë për zhvillimin turistik, duke iu përgjigjur edhe kritikave dhe protestave qytetare kundër projektit për Zvërnecin.
Gjatë fjalës së mbajtur në Shkodër, në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se qeveria nuk është “shkatërrimtare”, por ka luajtur rol kyç në mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në vend.
Ai solli si shembuj rikthimin e disa specieve të mbrojtura dhe moratoriumin për pyjet, ndërsa kritikoi kundërshtarët e projekteve zhvillimore, duke i cilësuar argumentet e tyre si “broçkulla dhe pallavra” që pengojnë zhvillimin e Shqipërisë.
“Mbrojnë natyrën nga ju dhe nga unë. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, ne jemi shpëtimtarët. Duket si një fjalë e madhe dhe e tepruar. Po të kishin gojë të flisnin flamengot që po i dalin për zot, do të tregonin historinë e hidhur se përse ata nuk dinin në Shqipërisë, sepse i priste pushka. Sikur pelikani kaçurrel të ngrihet dhe të tregojë historinë e tij, sot është një zog i mbrojtur, edhe ai ishte shënjestër.
Ne sot kemi një popullsi dhe një faunë të ripërtërirë. Sikur të shihet Shqipëria nga lart, nga ato të atëhershmet dhe këto të tanishmet, kemi bërë 10 vite progres. Bëmë moratorium për të mbrojtur pyjet. Ne dalim shkatërrimtarët. Për të na vënë këtë akuzë duhet të na tregojnë se çfarë kemi shkatërruar ne.
Po me Paketën e Maleve çfarë kanë?! Po ka kohë më Shqipëria të humbasë me këto broçkulla dhe pallavra?! Çfarë ta bëjmë Shqipërinë rezervat për blogerë dhe influencerë?!”, tha Rama.


