Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

“PS, makineri elektorale fituese”, Rama: T’i japim ‘jetë’ një marrëdhënieje të re mes qytetarit dhe qeverisë

schedule17:48 - 30 Korrik, 2026

schedule 17:48 - 30 Korrik, 2026

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi se mandati i katërt duhet të shënojë një kthesë strategjike të Partisë Socialiste drejt qytetarëve, duke kaluar nga prania elektorale te prania e vazhdueshme pranë njerëzve dhe problemeve të tyre.

Rama shtoi se objektivat kryesore mbeten anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, forcimi i institucioneve dhe ndërtimi i një marrëdhënieje të re mes qytetarit, shtetit dhe Partisë Socialiste.

“Ky për Partinë Socialiste duhet të jetë mandati i një kthese strategjike drejt njerëzve, për të kaluar nga kapitulli i deritanishëm i pranisë elektorale te kapitulli i ri i pranisë njerëzore. Nga partia që shkon te njerëzit kur u kërkon votën, duke treguar se çfarë ka bërë për vendin, te partia që rri pranë tyre kur njerëzit kërkojnë vëmendjen e saj për t’i treguar se çfarë vendi duan në rrugën e këtij zhvillimi dhe në gjirin e kësaj shoqërie.



Nga halli i qytetarit që shënohet dhe, rëndom, mbetet pa përgjigje, te halli që dëgjohet dhe përgjegjësia që e ndjek atë deri në dhënien e përgjigjes. Të qëndrosh gjatë në pushtet nuk mund të nënkuptojë t’u zësh rrugën të rinjve dhe forcave të reja, por t’u hapësh atyre rrugën.

T’u hapësh rrugën të rinjve nuk do të thotë t’ua dorëzosh Shqipërinë atyre që e shpallin veten forca të reja vetëm sepse nuk kanë qenë ende në pushtet. Do të thotë të hapësh partinë, të hapësh vendimmarrjen dhe të hapësh procesin e qeverisjes për njerëz të rinj, jo thjesht në moshë, por edhe në mendësi.

Duam ta ngjisim Shqipërinë në Bashkimin Evropian, ta bëjmë të pakthyeshëm modernizimin e vendit, ta bëjmë të palëkundur pavarësinë e drejtësisë dhe t’i bëjmë institucionet tona të denja për çdo qytetar të këtij vendi, të afta të funksionojnë në mënyrë të barabartë për të gjithë, të fortë apo të dobët.

Duam t’i japim jetë një marrëdhënieje të re mes qytetarit dhe qeverisë dhe ta vëmë partinë në dispozicion të qytetarit dhe të shtetit, jo qytetarin dhe shtetin në dispozicion të partisë. Falë një makineri të pathyeshme elektorale, kemi koleksionuar së bashku 9 fitore dhe vetëm një humbje”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!