Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në edicionin e tretë të Javës së Administratës Publike, është ndalur te protestat e fundit qytetare në bulevard, duke zbuluar një histori personale për të shpjeguar revoltën e njerëzve.
Rama tregoi rastin e nënës së një mikut të tij, e cila kishte dalë në protestë pasi ndihej e fyer dhe e poshtëruar nga sjellja e administratës shtetërore. Sipas kryeministrit, ky episod tregon thelbin e zemërimit të shumë qytetarëve, të cilët shpesh përballen me mungesë njerëzillëku nga punonjësit publikë.
Ai theksoi se ndjenja e poshtërimit nga njerëzit që paguhen për të shërbyer është kulmi i tolerancës, duke kërkuar më shumë dinjitet dhe sjellje etike ndaj qytetarëve, pavarësisht nëse halli i tyre zgjidhet apo jo.
“Nëna e një shokut tim kishte dalë në protestë dhe i biri ishte alarmuar kur i thanë, sepse ajo është në një moshë të caktuar. Ishte kthyer në shtëpi dhe e kishte pyetur të ëmën në protestë dhe ajo i tregon thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer. Ky është një poshtërim dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt dhe nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është një ndjenjë që të bën të kuptosh që është kulmi.
Njerëzit nuk ndjehen të fyer e të poshtëruar jo vetëm sepse nuk zgjidhin dot një hall. Por përtej faktit që e zgjidh apo nuk e zgjidh, ai mjeku është i detyruar që atij njeriu të sëmurë t’i ofrojë gjithë komoditetin që vjen nga njerëzillëku”, tha Rama.



