Analisti Skënder Minxhozi vlerëson se protesta e zhvilluar në Tiranë nuk ka arritur të prodhojë një alternativë të re politike, megjithëse ka krijuar një klimë presioni ndaj mazhorancës dhe opozitës.
Sipas tij, pavarësisht mbulimit të gjerë mediatik, protesta nuk po gjeneron përmbajtje të re politike dhe as një lidership që të pozicionohet përtej PS dhe PD.
Minxhozi tha se politika duhet të marrë në konsideratë ato që janë të arsyeshme, veçanërisht çështjet që lidhen me koston e jetesës.
Sipas tij, një nga problemet kryesore për qytetarët mbetet rritja e çmimeve dhe inflacioni.
“Persona që organizojnë protestën gjejnë përballë një numër jo të vogël mediash. E dinë që do të thonë atë që thonë më parë. Jepet një itinerar sikur është dita e fundit. Kjo protestë, me këtë prezencë në Tiranë, kaq të mbuluar mediatikisht, nuk po arrin të prodhojë asnjë përmbajtje dhe aq më pak një lidership alternativ që nuk është as PS, as PD. Nuk po shihet ajo materie tjetër që do t’i trazonte politikisht. Edhe qeveria dhe opozita e kuptojnë që rënia e kësaj proteste pa kokë nuk është diçka e mirë për vetë protestën.
Është një protestë që ka krijuar një klimë, ka shpalosur dhe ka evidentuar faktin që edhe një palë e tretë mund të futet si presion dhe të reklamojë disa kërkesa. Është një prezencë që unë pres të jetë diçka që rrezikon të zgjasë dhe është si një shpatë virtuale që mund të shfaqet në një moment të dytë. Politika do të duhet t’i bëjë llogaritë në masën e duhur.
Ky spostim është komod për protestuesit, sepse Zvërneci dhe Sazani janë shumë të vegjël që të marrin një pjesë kaq të madhe. Protestuesit kanë përpiluar një listë çështjesh, nga të cilat duhet të merret ajo që është racionale. Shqipëria ka probleme. Do të ishte me vend që një qeveri socialiste e majtë të ishte super e ndjeshme të paktën ndaj inflacionit dhe mallrave të konsumit, që janë të larta. Kemi shkuar me çmimet e Greqisë dhe Italisë. Ky është problem madhor për familjet. Situata në Shqipëri është e tillë që ka kush nxjerr mësime.”



