Protesta te “5 Maji”, Veliaj: Ka marrë fund koha e të fortëve, kriminelët dhe trafikantët nuk caktojnë axhendën e qytetit

schedule14:04 - 19 Janar, 2022

schedule 14:04 - 19 Janar, 2022

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj siguron se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga projekti për ndërtimin e lagjes së re te “5 Maji”. Gjatë takimit me përfaqësues të kompanive ajrore, në kuadër të Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë, Veliaj komentoi protestën e sotme te lagjja e re që po ngrihet te zona “5 majit”, teksa tha se asnjë trafikant apo kriminel nuk mund ta ndalojë punën e nisur aty për strehimin e të familjeve të prekura nga tërmeti I 26 nëntorit 2019.

“Ne nuk mund të kemi sot hapësira, qoftë edhe tek Bregu i Lumit, që të zaptohen nga të fortët që thonë: Nuk dua të bëhet rruga, nuk dua të bëhen pallatet për tërmetin, sepse i kam zënë unë. Për gjithë kolegët e medias, nëse bëni një kërkim në Google me fjalët ‘Vëllezërit Marku/OFL’, do të shikoni se ata që sot thanë se do të vrisnin kryetarin e bashkisë, tashmë u janë sekuestruar 5 milionë euro prona dhe 18 makina. Si ka mundësi që dikush që është kriminel i skeduar mund të kanosë këdo, përfshirë kryetarin e Bashkisë, apo forcat e policies, apo inspektorët, apo ata që janë për t’i shërbyer publikut? Koha kur laci, i forti, zaptuesi, krimineli, trafikanti bënte ligjin në këtë qytet, ka mbaruar. Nuk ekziston më”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se ka ikur koha e viteve ’90, kur persona të skeduar nga drejtësia bënin të fortin. “Koha kur ne tërhiqemi me të fortin që vinte nga vitet ’90, me targa të huaja, me timonin në anën tjetër, apo me atë të piramidave të ’96, apo me rrugaçin e ’97, apo me atë që merrte tankun dhe shkonte drejt qeverisë në ’98, është kohë e kaluar. Jemi në vitin 2022, flasim për Kryeqytetin Evropian të Rinisë, ndërkohë dikush i skeduar nga policia ka folur sot me orë të tëra dhe asnjë nga mediat nuk pyeti: Ore kush është ky? Si mund të japim me orë të tëra në televizor një kriminel, të cilit policia ia ka konfiskuar pasurinë dhe është nën hetim, si “grabitqarë”, “peshkaqenë” fajdesh? Jepnin fajdet, pastaj shkonin i kërcënonin, i vrisnin dhe ky thotë që do bëjë vetëgjyqësi me kallash e acid?!”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se kriminelët dhe trafikantët nuk kanë asnjë shans që të përcaktojnë axhendën e qytetit. “Kush është më i forti në këtë qytet? Rrugaçi, zaptuesi, kërcënuesi, krimineli, trafikanti apo ai çuni e goca që del me dhjeta, që punon në mënyrë të ndershme?! Sa të jem unë kryetar bashkie, asnjë kompromis! I kam parë unë të gjitha, me media, edhe trafikantë droge, edhe këto portalet që vënë gjoba, duhet ecur përpara dhe duhet dhënë mesazhi që në vitin 2022, paligjshmëria, rrugaçëria, krimineli, trafikanti nuk cakton axhendën e qytetit. Axhendën e qytetit, sidomos këtë vit, do ta caktojnë të rinjtë tanë, çunat e gocat e shkëlqyer të Tiranës, që nuk i kanë borxh askujt”, deklaroi Veliaj.

Banorët që preken nga ndërtimi i lagjes së re në zonën e “5 Majit” do të dëmshpërblehen 100% për pronën e tyre. Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, pronarët e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë. Përfitues nga ky projekt do të jenë edhe familjet të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje. Shumica e familjeve që preken nga projekti i rindërtimin e kanë firmosur tashmë kontratën me Bashkinë e Tiranës dhe me përfundimin e apartamenteve do të marrin çelsat e banesave në dorë. Ndërkaq, bashkia ka marrë përsipër edhe dhënien e bonusit të qirasë për banorët që preken, derisa ata të hyjnë në banesat e reja.