Taksapaguesit shqiptare do të dëmshpërblejnë kompanitë private që kanë marrë me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit për dëmet e shkaktuara gjatë protestës së të shtunës.
Ndërsa banorëve të Kukësit do t’u duhet të paguajnë gjithashtu tarifën prej pesë eurosh për çdo kalim në Rrugën e Kombit deri në identifikimin e tyre si përdorues të shpeshtë të rrugës dhe pajisjen me abone.
Ministri i Infrastrukturës pranon se tarifa është më e lartë se në Maqedoni dhe Serbi, por e vemja mënyrë për të investuar dhe mirëmbajtur këtë rrugë. Ndërkohë ministri Gjiknuri akuzoi opozitën që shprehet kundër kësaj tarife se kishte miratuar një çmim më të lartë, kur qeveriste vendin.
Ministri i Infrastrukturës citoi një vlerësim të Bankës Botërore, sipas të cilit, vetëm për mirëmbajtjen e 3 mijë e 900 kilometra rrugë nacionale, qeveria duhet te shpenzojë 320 mln euro dhe taksën e qarkullimit e quan të pamjaftueshme.
Në këtë pike, ministri Gjiknuri thotë se për një nder rrugët më të frekuentuara ndonëse në gjendje të amortizuar, autostradën Tiranë-Durrës, do të kryehet investim i pjesshëm.
Ndërsa për segementin Kukës –Morinë këtë vit Minstria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka parashikuar rreth 880 milionë lekë investime./abcnews.al