Berisha e militantët braktisin njeri-tjetrin/ Braktiset nga demokratët, pjesëmarrja më e ulët

schedule21:00 - 8 Shkurt, 2025

schedule 21:00 - 8 Shkurt, 2025

TIRANË– Në një përpjekje për të treguar forcën në shesh, Berisha ia doli të mbledhë vetëm disa grupe militantësh demokratë të shpërndarë në bulevardin dëshmorët e kombit.

30 minuta me vonesë nga çfarë kishte njoftuar, Berisha doli nga selia i shoqëruar nga disa besnikë e militantë te zakonshëm që e presin në oborr, ndërsa marshoi me ta drejt kryeministrisë.

Në podium, fjalën të parët e morën dy aleatët e vetëm që i kanë mbetur, Mediu e Duka, kurse Ilir Meta me një audiomesazh nga qelia, foli për hallin e tij. U justifikua se po bën burg për firmat e Braimllarit, tashmë socialist i konvertuar.

Berisha vetë u përpoq të mbushte me iluzione demokratët, se vitet e fundit ka korrur fitore, dhe me triumfin e Trump, 11 maji do e gjejë në kryeministri. Si dhurate, u premtoi demokratëve se do e paketojë Ramën, aty ku ai vetë nuk shkel dot, në SHBA.

Leja ishte kërkuar për 3 orë protestë, por Berisha e zgjati vetëm 1 orë e 15 minuta, duke nxituar në ikje të kapë aeroplanin për në Romë. Megjithatë, bilanci i kësaj proteste tregoi një Berishë më të butë, pa dhunë e molotovë, por me disa kapsolla të cilat dëmtuan 3 policë.

Abc News ka mësuar se 2 prej tyre po kurohen në Spitalin e Traumës, njëri me dëmtime në fytyrë e tjetri në dorë. Berisha nuk u la i vetëm nga militantët, por edhe nga deputetët, si Bardhi dhe Tabaku, të cilët, ndërkohë që Berisha proteston ne Tiranë, mbajnë takime në Amerikë.

Zhvillimet minutë pas minute:

18:50 Nura: Nuk bëjnë dot zhurmë me fjalë, por hedhin shashka. Berisha mendon se me ardhjen e Trump do t’i hiqet ‘non grata’

Gazetari Artur Nura deklaroi se opozitarët nuk bëjnë dot zhurmë me fjalë, por kur Sali Berisha nis të flas, tentojnë të bëjnë zhurmë me shashka.

Ai theksoi se me ardhjen e Donald Trump në pushtet, Berisha mendon se mund të heq ‘non gratën’, pasi dhe po financon fuqishëm.

Ndërsa, analisti Martin Leka theksoi se Berisha krijoi një regjim represiv, jo nga fjalës së lirë, por ndaj politikanëve.

Ora 18:43 Lëndë piroteknike nga militantët e Berishës, lëndohen tre efektivë

Si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të Policisë janë lënduar tre punonjës policie.

Referuar burimeve zyrtare, gazetari Ervin Leka tha për ABC News se një prej punonjësve është lënduar në sy, një në dorë dhe një tjetër në fytyrë.

Lëndët piroteknike u hodhën nga militantët e mbledhur në shesh në protestën e thirrur nga Sali Berisha, menjëherë sapo ky I fundit mori fjalën në protestë

Ora 18:40 “Fjalimi i Berishës, si në një mbledhje të zakonshme të kryesisë”, Leka: PD është më e përçarë se kurrë

Gazetari Martin Leka, i ftuar në ABC News tha se fjalimi i Berishës në protestë ishte i vakët, pa temp dhe pa ritëm. Sipas tij, ai ngjante më tepër sikur po fliste në një mbledhje kryesie. Sipas gazetarit, numri i vogël të mbështetësve që ka Berisha tregon se PD është më e përçarë se kurrë.

Ora 18:25 Kreu i PD mban fjalën, protestuesit hedhin kapsolla drejt policëve

Ndërkohë që kryetari i PD, Sali Berisha ka nisur fjalimin e tij në protestën e opozitës, protestuesit kanë hedhur tymuese përpara Kryeministrisë.

Mësohet se një efektiv i Forcave Shqiponja ka pësuar lëndim në pjesën e këmbës së djathtë nga shpërthimi i kapsolleve.

Kujtojmë që kjo protestë ishte parashikuar të niste në orën 17:00, por nisi 20 minuta me vonesë. Më herët, ka mbajtur fjalime Fatmir Mediu dhe dërgoi një mesazh nga qelia Ilir Meta.

18:10- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”….i vakët/ ABC News sjell pamjet me dron tregojnë braktisjen e Sali Berishës

Teksa kanë kaluar mbi 60 minuta nga nisja e protestës së Partisë Demokratike, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” situatë është shumë e vakët dhe pa frymën e pretenduar nga Sali Berisha.

Ora 18:03 Meta, ‘mbështetje’ nga qelia për Berishën/ Kreu i PL mesazh militantëve nga burgu

Kreu i PL, Ilir Meta mbështet nga qelia aleatin e tij në protestë, Sali Berisha. Permës një audio mesazhi, Meta iu drejtua militantëve të mbledhur në shesh, nga qelia e burgut. “Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju, misionarë të lirisë, demokracisë dhe patriotizmit që protestoni plot guxim kundër Narkoregjimit të vetëm në Europë. Përshëndetjet më të përzemërta për Prof. DRr. Sali Berishën, qëndrestarin e paparë dhe gjithe drejtuesit e opozitës. Përshëndetje të veçanta për Ervin Salianjin, zemërluanin opozitar dhe të gjithë të burgosurit politikë të Narkoregjimit që është në grahmat e fundit. Çdo shtet ka mafian e tij, por në Shqipëri mafia ka shtetin e saj. Si shpjegohet që sa e mori edhe Ministrinë e Bujqësisë u riktheu TVSH-në me 20% fermerëve? Ai e ndriti me fondet e IPARD-it që i jepte dhe i kontrollonte BE- ja, duke i cuar në zero, sepse dhe këto fonde dedikuar për bujqësinë nga BE, ai i dërgonte te bizneset e lidhura me inceneratorët. Ndaj sot jo vetëm që jemi vendi me mbështetjen më mjerane për bujqësinë, por dhe me politikat më armiqësore për fermerët, për blegtorët dhe për prodhuesin vendas. Jemi vendi që për çmimet e bulmetit ua kalojmë dhe vendeve më të zhvilluara në BE.” tha Meta

Ora 17:50 Duka flet në protestën e Berishës: Nuk dua poste deputeti as ministri

‘Siç e dini jam kryetar i PAA dhe pjesë e koalicionit. Duhet kohë të rendisësh arsyet pse të protestosh. E para kjo mazhorancë ka dalë nga binarët e ligjit. Ata që qeverisin sillen si pronarë, bëjnë resorte me para publike. Ia vënë çmimin e km të rrugës sa të duan. Kompensojnë qytetarë me çmim qesharak. Ndryshojnë ligjet për të ndërtuar në zonat e mbrojtura. Ligji për ta nuk është pengesë. Kanë humbur çdo sens seriozteti për të qeverisur.

Ora 17:45 – Mediu: Partia më e madhe është vota e lirë. Interesi jonë, qytetarët

Fatmir Mediu, kreu i republikanëve ka celur protestën e opozitës në buleverdin Dëshmorët e Kombit. Mediu tha se Partia më e madhe është vota e lirë, ndërsa interesi i opozitës janë qytetarët. Kujtojmë se Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me dosjen “Gërdeci”.

Ora 17:40 Ende pa nisur protesta, militantët e Berishës nisin me kapsollat

Ndonëse nuk ka nisur ende protesta e radhës e Berishës, militantët e grumbulluar në sheshin para kryeministrisë kanë nisur të hedhin kapsollat e para. Gazetari Ervin Leka, raporton nga vendngjarja se disa kapsolla u hodhën në këmbët e efektivëve.

 Ora 17:29 – Berisha lë selinë e PD, niset të protestojë

Ish kryeministri Sali Berisha ka lënë selinë e PD, për t’iu drejtuar Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Berisha ka thirrur këtë të shtunë militantët në shesh për të protestuar

Ora 17:13 – Berisha… si gjithmonë protesta me vonesë/ Pamjet me dron tregojnë numrin e pakët të militantëve në shesh

Partia Demokratike ka ftuar simpatizantë e saj në protestë për të protestuar kundër qeverisë.

Por përtej kësaj, ajo që vihet re është se mbështetësit e kanë braktisur në masë.

ABC News sjell pamjet me dron nga lart ku shihet një situatë e vakët.

Ora 17:10 – Protesta e radhës (e Berishës)/ Opozitarët protestojnë para Kryeministrisë, situata në selinë blu, e qetë
Gazetari Andon Kello ka raportuar live nga selia blu në pritje të fillimit të protestës së opozitës.

“Në pritje të fillimit të protestës, edhe pse duket se do të nis me vonesë siç ka nisur gjithmonë. Demokratët janë në pritje të krydemokratit Sali Berisha, I cili do udhëheq protestën, që do filloi nga selia blu.

Kjo protestë është thirrur dhe ka marrë shkas disa akuza nga ish zv. Kryeministri Arben Ahmetaj, të cilat janë hedhur poshtë nga kryeministri Edi Rama”, tha ai.

Përkatësisht zonat ku do të kufizohet lëvizja janë:

-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Ndërkohë në njoftimin zyrtar të policisë së Shtetit, nënvizohet se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Gjithashtu në rast bllokimi, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!