Analisti Martin Leka thotë se në protestë ka disa grupime që protestojnë. Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Leka u shpreh se protesta ka humbur qëllimin e saj, pasi nisi për Zvërnecin dhe u kthye në politike.
Leka deklaroi se kërkesat e protestuesve nuk janë realiste.
“Po ndodh ajo që gjithçka nis me protestën, doli jashtë parashikimit. U nis protestë për Zvërnecin, doli në origjinën e vet që në nisje, që ishte dorëheqja e Edi Ramës. Në këtë konglomerat të kërkesave të paqëndrueshme të organizatorëve të protestës. Vetë kreu i PD, u ka bërë thirrje anëtarëve që pa logot e partive të dalin në protestë. Ka një pjesë tjetër që nuk duan as Ramën, as Berishën. Është pjesë e rëndësishme, por e paktë në numër në protestë. Janë një pjesë e pakënaqur nga arroganca e mazhorancës. Po sikur të bëheshin, ky fjalor të thuhej kur kryeministër ishte Sali Berisha, do i bënin mirë llogaritë? Sigurisht që ka ndikime të huaja, e kemi thënë para se ta thoshte zoti Spaho. Problemi është që realisht, kjo dëmton rëndë misionin e vetëm, nëse ka pasur vëertet mision real protesta që në fillimin e saj.
Janë një grupim njerëzish në protestë, që nuk e dinë për çfarë janë dhe për çfarë kanë shkuar. Nuk gjejnë te folësit asgjë nga ato probleme që realisht i shqetësojnë. Vulgariteti, gjuha e urrejtjes, mendoj se e humb thelbin e protestës. Protesta e ka humbur dinamikën dhe ritmin e fillimit. Gjithçka në demokraci bëhet me votë. Kërkesat, gjer në komike të disa anëtarëve nismëtare, një kuvend popullor, apo asamble, janë antikushtetuese dhe antirealiste. Deri tani, nuk mendoj se ka të dhëna dhe indicie që besimi tek ta të jetë real”, theksoi ai.
Lidhur me largimin e Marjana Koçekut nga grupi i PS, Leka u shpreh se moralisht duhet ta dorëzonte mandatin.
“Këta duhet ta dorëzojnë mandatin nëse nuk u pëlqen partia, moralisht. Ligjërisht nuk mund të them. Nuk quhen deputetë të zgjedhur, por të emëruar”, përfundoi Leka./abcnews.al



