Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, pas një hetimi 3-mujor të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, finalizuan një operacion kundër veprimtarive të kundërligjshme në fushën e prostitucionit.
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja 40 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Ndërkohë, një shtetase tjetër, 41 vjeçe, u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”.
Sipas burimeve zyrtare, aktiviteti i paligjshëm zhvillohej në ambientet e një subjekti të regjistruar si qendër fizioterapeutike, në rrugën “Ismail Qemali”, në pronësi të 40-vjeçares së arrestuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e mëtejshëm të hetimeve.


