Propozimet e Ministrisë së Diasporës për votën e emigrantëve, ekspertët kundër

schedule12:00 - 28 Janar, 2018

schedule 12:00 - 28 Janar, 2018

Numri i madh i emigrantëve e bën të pamundur votimin e tyre në selitë diplomatike. Ndërsa mungesa e besimit mes palëve vështirëson metodën e votimit përmes postës. Në këto përfundime kanë dalë ekspertët e cështjeve zgjedhore Oerd Bylykbashi, Ilirjan Celibashi dhe Çlirim Gjata. Ata kanë analizuar propozimet e Ministrisë së Shtetit për Diasporën, të cilat janë dorëzuar në komisioni parlamentar të reformës zgjedhore.

Ministria e Shtetit për Diasporën ka dorëzuar në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore një propozim, ku paraqiten dy variante se si emigrantët mund të ushtrojnë të drejtën e votës në vendet ku ata jetojnë. Mënyra e parë është ajo e votimit të drejtpërdrejtë në selitë diplomatike dhe e dyta përmes postës së shpejtë. Votimi në selitë diplomatike nuk gjen mbështetjen e bashkëkryetarit demokrat të komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi.

Oerd Bylykbashi: “Që t’i garantosh një proces super garantist, siç është ky që kemi ne, ku një fletë votimi ka karakteristika që shpesh i afrohet kartmonedhës, përsa i përket sigurisë dhe kjo bëhet për një numër shqiptarësh që është një million e 500 mijë, në mos më shumë, që janë jashtë Shqipërisë. Sigurisht që kjo është një përpjekje shumë e madhe dhe kush mendon postën si zgjidhje është e qartë që nuk e kupton problemin. Po kaq keqkuptim thelbësor i problemit është mos të kuptosh që 500 mijë vetë në Itali do të shkojnë të votojnë në tre pika diplomatike”.

I këtij mendimi është edhe ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Ilirjan Celibashi: “Kjo nuk është shumë përshtatshme pasi numri i selive diplomatike që kemi nëpër botë apo kryesisht në Europë, ku kemi edhe numrin më të madh të emigrantëve është një numër relativisht i vogël dhe në raport me numrin e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote që banojnë jashtë territorit shqiptar, numri i selive diplomatike është shumë shumë i vogël. Është gati e pamundur për mendimin tim që ta përballojë fluksin e votuesve”.

Mënyra e dytë e votimit me postë, që gjen mbështetje nga Ministria e Diasporës, duket më i realizueshem në gjykimin e ish-kreut të KQZ, Celibashi.

Ilirjan Celibashi: “Votimi me postë është votimi më klasik, ku është i përdorshëm edhe në vendet e tjera, ofron më shumë siguri. Kuptohet, kjo lidhet shumë me shërbimin postar që ti zgjedh. Por në kuptimin e lehtësisë dhe thjeshtësisë së votimit për mua ngelet ndër më të thjeshtët”.

Ndërkohë për Bylykbashin, ky proces kërkon një studim më të thelluar.

Oerd Bylykbashi: “Për çështje të tilla na duhen politikbërje dhe vendime të mëdha të bëra nga komisioni. Nuk është kompetencë e qeverisë. Nuk është kompetencë e ministrisë që mbulon çështjen e emigracionit. Është një nga proceset më komplekse për të cilat kërkon zgjidhjet më të kujdesshme, përndryshe impakti që do kishte procesi zgjedhor me efekte shkatërruese do të ishte shumë i madh”.
Dakordësia mes partive politike, vullneti dhe besimi mes tyre qëndron në themel të problemit sipas ish-kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata. Sipas tij, pa këta elementë, vështirë që emigrantëve t’u jepet së afërmi e drejta për të votuar.

Çlirim Gjata: “Problemi nuk është sesi mund të gjendet forma e votimit për emigrantët shqiptarë në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Problemi është te garancitë që jepen që kjo votë most ë preket. Zgjedhjet janë vullnet dhe besim. Po ekzistoi vullneti për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme e të gjitha palëve politike, po ekzistoi dhe besimi se këto bëhen, pra bijnë dakord që të mos prekin, por t’ia lenë në dorë popullit që të votojë, që të zgjedhë, atëherë çdo gjë është e arritshme”.

Eskpertët e çështjeve zgjedhore shkojnë përtej propozimeve të Ministrise së Shtetit për Diasporën.

Oerd Bylykbashi: “Kemi votimin elektronik. Ndoshta kjo zgjedhje e tillë mund të na ndihmojë në votimin e emigrantëve, por nëse është e vështirë zgjidhja e votimit elektroonik sot, pra kërkon shumë punë dhe analizë më pas zbatim, kjo është po aq e vështirë në mos më kompleks”.

Ilirjan Celibashi: “Personalisht do të më pëlqente votimi elektronik, por është një mënyrë, e cila lidhte fort me çështjen e besimit”.

Komisioni i Reformës Zgjedhore është organi përgjegjës për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për t’i mundësuar emigrantëve të drejtën e votës. Aftai i tij mbaron më 13 Prill të këtij viti. Deri tani ky komision ka zhvilluar vetëm dy mbledhje dhe propozimet vazhdojnë të mbeten në tryezën e punës se deputetëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!