“Presidenti”, Balla: Jemi për të gjitha mënyrat e mundshme, formula e Alibeajt s’pranohet

schedule17:08 - 24 Maj, 2022

schedule 17:08 - 24 Maj, 2022

“Ne jemi për të gjitha mënyrat e mundshme”. Kështu u shpreh kreu i grupit të PS, Taulant Balla për çështjen e zgjedhjes së presidentit, ndërkohë që procesi është në ngërç, pasi kanë dështuar dy raunde.

Në një deklaratë për mediat, Balla tha se ajo që përjashtohet është formula e Enkelejd Alibeajt, e njohur si “4,2,1”. Kreu u grupit socialist tha se opozita ka 6 ditë afat kohë dhe në raundin e tretë që do të zhvillohet në 30 maj të shkohet me një kandidat. Balla theksoi edhe njëherë se PS nuk do të propozojë asnjë kandidaturë.

“Ka një propozim nga një pjesë e opozitës të mbështesin një kandidaturë. Ka një propozim tjetër që të vazhdojmë negociatat që ata të vijnë me emrat e tyre. Pra kjo është çështja për të cilën unë dua që të ndalem.

Ne jemi për të gjitha mënyrat e mundshme me përjashtimin e vetëm të formulës së propozuar nga Alibeaj që nuk është negociatë. Në këtë aspekt orët, ditët në vijim do të jenë intensive bisedash me kolegët e opozitës që në raundin e tretë të shkohet me një kandidat. Besoj që ajo që është më e qartë se edhe në raundin e tretë nuk do të ketë një kandidaturë me firma nga PS”, tha Balla.

Dy raundet e para për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dështuan. Në Kuvend nuk u paraqit asnjë emër nga palët politike, ndërsa marrëveshja mes maxhorancës dhe opozitës u prish.

Mënyra e propozimit të emrave është pika që ndan palët, ndërsa më herët socialistët pranuan draftin e Enkelejd Alibeajt. Demokratët kërkojnë që të propozojnë katër emra dhe më pas të përzgjidhet një kandidaturë bashkarisht me socialistët që t’ja depozitojnë Kuvendit për t’u votuar. Sipas tyre kjo është mënyra e vetme për të zgjedhur një president konsensual.

Mirëpo, maxhoranca nuk e pranon formulën e propozuar nga demokratët. Ata kërkojnë që opozita të sjellë një kandidaturë me firmat mbështetëse dhe më pas ta çojnë për votim në raundin e tretë. Deri në këtë raund socialistët nuk propozojnë asnjë emër. g.v/abcnews.al