Presidenca publikon sot qëndrimin për draft-opinionin e Komisionit të Venecias

schedule08:11 - 4 Tetor, 2019

schedule 08:11 - 4 Tetor, 2019

Presidenca pritet të publikojë sot qëndrimin e saj zyrtar lidhur me draft-opinionin e Komisionit të Venecias, për ligjshmërinë e anulimit nga presidenti Meta të 30 qershorit, si datë e zgjedhjeve vendore.

Këtë fakt e konfirmoi edhe vetë kreu i shtetit, mbrëmë gjatë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan. Zoti Meta zbuloi edhe detaje nga ky qëndrim zyrtar që pritet të publikohet gjatë ditës së  sotme. Sipas tij, Komisioni i Venecias ka tejkaluar kompetencat e tij, gjë që pritet të jetë e shkruar dhe në reagimin zyrtar të Presidencës në lidhje me draft opinionin e Venecias. Presidenti vijoi të argumentojë se ai nuk ka shkelur Kushtetutën, ndërsa kërkoi nga Venecia t’i tregojë ndër të tjera se cilin nen të saj ka shkelur. Po ashtu Presidenti pyet komisionin e Venecias të shprehet: Kush është sipas Kushtetutes institucioni që cakton datën e zgjedhjeve në Shqipëri.

Në draft-opinionin e këtij komisioni, të përpiluar pas dërgimit të një misioni fakt-mbledhës në Tiranë, argumentohet se Presidenti i Republikës ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, duke anuluar dhe më pas duke shtyrë datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Por “Venecia” nuk shprehet me qëndrim, nëse këto shkelje mund të çojnë në shkarkimin e kreut të Shtetit. Këtë vendimmarrje Komisioni i Venecias ia lë Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese. /ABC News Albania 24/7