Edhe pse e diela e 13 tetorit ishte caktuar nga Presidenti Meta si datë për zhvillimin e zgjedhjeve lokale pas anulimit të 30 qershorit, institucionet dhe politika heshtën. Këtë të dielë edhe vetë kreu i Shtetit zgjodhi të merret me sport, ndërkohë që dyert e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin të mbyllura.
Sportivitetit me të cilin u shoqërua e diela në Tiranë, iu bashkuar edhe kreu i shtetit Ilir Meta. Në një video të postuar në rrjetet sociale Presidenti nuk foli për zgjedhje por u shpreh optimist për të dielën e tij, duke deklaruar se dita është më e bukur kur nis me sport. Por në Tiranën e boshatisur, Presidenca nuk ishte i vetmi institucion që zgjodhi të respektojë ditën e pushimit.
Institucionet nuk iu bindën Presidentit të Republikës për të mbajtur zgjedhje të reja vendore, ndërkohë që opozita me bojktoin e 30 qershorit i hapi rrugë një drejtimi absolute të pushtetit vendor nga socialistët. Demokratët janë të bindur se ditën që Shqipëria do të mbajë një palë zgjedhje atë ditë do të votohet edhe për kryetarët e rinj të Bashkive. Ndërkohë që maxhoranca luftën e saj politike e ka përqëndruar me personin që zhdekretoi datën kur ata nxorrën shqiptarët në zgjedhje, Ilir Metën. /ABC News Albania 24/7


